Svarqa: Ka tendencë të rritjes së buxhetit

Ferizaj | 29 Kor 2016 | 13:02 | Nga

Procesi i përgatitjes së buxhetit komunal në komunat e Kosovës ka qenë tema e debatit, organizuar nga OSBE-ja, ndërsa ka tubuar drejtues të pushtit lokal nga komunat Ferizaj, Kaçanik, Han i Elezit dhe Shtërpcë si dhe zyrtarë tjerë nga këto komuna.

Në këtë debat janë theksuar sfidat në hartimin e buxheteve komunale dhe modalitetet e hartimit strategjive investuese në interes të qytetareve dhe kërkesave të tyre.

Debati ka pasur për qëllim edhe shkëmbimin mes zyrtarëve të përvojave në aspektin e hartimit të buxheteve dhe planeve investuese, duke vënë në pah përparësitë dhe sfidat.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, si nikoqir i këtij takimi ka folur për përvojat e deritashme të Komunës së Ferizajt, duke e vënë theksin në kriteret e hartimit, në shpërndarjen e tij proporcionale dhe në përkim me numrin e banorëve dhe pjesëmarrjes së tyre.

“Komuna e Ferizajt, si një qendër e madhe, ka një buxhet me tendencë në rritje të tij, si produkt edhe i rritjes së përmasës së qarkullimit financiar buxhetor, por edhe si produkt i rritjes së të hyrave”, ka thënë Svarqa, duke theksuar inaksimin e të hyrave vetjake, ngecjet si rrjedhojë e faljes së borgjeve, si dhe rritjes në muaj të fundit të vlerës së inkasuar nga qytetarëve, që do të ndikojnë në kthimin e tyre përmes investimeve dhe përmirësimit të kushteve të jetës.

“Ndarjes së buxhetit në raport me shtrirjen gjeografike dhe në raport me numrin e banorëve, ne i kemi kushtuar rëndësi të veçantë. Për investime infrastrukturore diku janë 7 milionë euro, por në të njëjtën kohë rritja sa më e madhe e investimeve kapitale, përkundër përshtypjes së krijuar dhe domosdoshmërisë për investime krijon edhe vështirësi në menaxhimin e parasë publike që ndërlidhen me mallra dhe shërbime. Sa më shumë do të ketë investime kapitale, aq më pak do të ketë mallra dhe shërbime dhe e kundërta”, ka thënë Svarqa.

Numri një i Ferizajt ka theksuar edhe nevojën e orientimit të buxhetit për zhvillim ekonomik.
Edhe nënkryetari i Komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullahu ka folur për specifikat e komunës së tij në hartimin e buxhetit komunal, duke vënë theksin në mos posedimit të numrit të saktë të banorëve të kësaj komune.

“Komuna realisht i ka 14 mijë e 700 banorë, ndërsa sipas regjistrimit të fundit, shënimeve zyrtare ka 6 900 banorë që nuk është numër real dhe kjo ka ndikuar në shkurtimet buxhetore për investime në infrastrukturë për të ruajtur punën administratës së komunës, në arsim e shëndetësi. Qytetarët janë të interesuar të marrin pjesë në tubime, për investime, dhe paraqesin kërkesat e tyre, organizohen në terren, merren propozimet e tyre, por këto janë të mëdha ndërsa mundësitë e pakta” , ka thënë Fejzullahu.

Kryesuesi i Kuvendit të Kaçanikut, Xhelal Gashi ka thënë se rritja e të hyrave vetjake shihet si një mundësi e mirë për të rritur edhe investimet në infrastrukturë për qytetarët e kësaj komune, ndërsa ka çmuar lart kontributin e gjithë akterëve që marrin pjesë në hartimin e buxhetit, duke mos lënë anash edhe kontributin e qytetarëve dhe kryetarëve të fshatrave.

Munduh Vlashi, nënkryetar i Hanit të Elezit ka folur për sfidat e kësaj komune në hartimin e buxhetit dhe në përcaktimin e prioriteteve dhe se kjo është arritur falë transparencës dhe shpenzimit me nikoqirllëk të parasë publike.

Vlashi ka folur për buxhetin e paktë për investime kapitale në lartësi prej 400 mijë eurosh, vlerë kjo shumë dekarajuese për qytetarët e kësaj komune, meqë as për së afërmi nuk përmbush kërkesat e tyre.

Zyrtarë të OSBE-së kanë prezantuar më pas fazat e procesit të hartimit të buxhetit, ndërsa pjesëmarrësit tjerë, zyrtarët financiarë nga këto komuna kanë trajtuar aspekte të ndryshme që lidhen me hartimin e buxhetit komunal.

Të ngjashme