Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, të mërkurën ka pritur në një takim zyrtarë të kompanisë “Budapest water works” kompani kjo e formuar qysh në vitin 1968.
Zyrtarët e kësaj kompanie, kryetari Svarqa i ka njoftuar nga afër me shumë projekte që po realizohen në Ferizaj, por temë kyçe e takimit ka qenë trajtimi i ujërave të zeza.
Kryetari këta të fundit i njoftoi se Komuna e Ferizajt e ka të përfunduar studimin e fizibilitetit si dhe projekte ideore për ujërat e zeza.
Nga ana tjetër zyrtarë të kësaj kompanie kanë bërë edhe një prezantim të detajuar për trajtimin e ujërave të zeza.
U bë e ditur se për trajtimin e ujërave të zeza Qeveria e Hungarisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë të nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi për përfitimin e kredive të buta vlerë kjo prej 62 milionë eurove, ku përfituese do të jenë shumë komuna të Republikës së Kosovës, ndërsa pritet që edhe komuna e Ferizajt të jetë përfituese e kësaj kredie.