Sveçla fton deputetët që të votojnë raportin e rastit “Gylenistët”, përballet me kundërshtime

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 11:56 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme për të shqyrtuar raportin e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq me datën 26 mars 2018, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit Hetimor për dëbimin e shtetasve turq, Xhelal Sveçla, ka treguar për punën e komisionit, intervistimi e dëshmitarëve. Aty ai ka përmendur edhe intervistimin e Presidentit Thaçi, për të cilin tha se u mundua ta devalvojë punën e komisionit.

“E gjithë puna e komisionit ka kaluar në katër faza, konsolidimi i komisionit, mbledhja e dëshmive, intervistimi i dëshmitarëve dhe vlerësimi si dhe përpilimi i raportit. Qëllimi i komisionit ka qenë se çka ka ndodhë me dëbimin e shtetasve turq dhe procedimin e shkeljeve. Komisioni ka kërkuar një sërë dokumentesh.  Duhet ta theksoj dështimin e AKI-së, policisë dhe Presidencës edhe pse komisioni ka qenë në dijeni të dëshmive si CD-të. Pas analizimi të provave komisioni ka intervistuar dëshmitarë. 27 dëshmitarë janë ftuar dhe dy prej tyre në riintervistim për shkak të diskrepancave në deklarim. Këtu vlen të theksohet Presidenti. I gjithë opinioni është dëshmitar se si ai u mundua të devalvojë punën e komisionit”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se komisioni ofron edhe rekomandime për Kuvendin. Ai ka treguar se në raport janë evidentuar 31 shkelje të cilat janë në kundërshtim me ligjin.

“Për shkak se disa prej shkeljeve kanë rezultuar prej mangësive të ligjeve bë fuqi, pjesa e 5 ofron disa rekomandime për Kuvendin. Në raportin që e kemi dorëzuar kemi identifikuar 31 shkelje. Në kuadër të këtyre shkeljeve lejimet për largim me forcë janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin”, tha ai, raporton EO.

Përfaqësuesi i GP-të LDK-së, Driton Selmanaj, tha se dëbimi i shtetasve turq nga Kosova është rasti më eklatant se si autoriteti shtetëror është i gatshëm të shkelë çdo normë ligjore e kushtetuese që i obligon ata.

“Kanë qenë disa dëshmitarë që nuk kanë dashtë me raportu, por që kanë ditë shumë. Të gjithë e kanë ditë, por dikush më e pak e dikush më shumë, por të gjithë informatat i kanë pasë që një proces i tillë ka me ndodhë. Ky është rasti më eklatant se si autoriteti shtetëror është i gatshëm të shkelë çdo normë ligjore e kushtetuese që i obligon ata. Nuk është njoftuar prokuroria e shtetit për rrezikun nga këta persona. Nuk janë njoftuar departamentet brenda MPB-së. Është bërë me çështje telefonatash, bisedash dhe të gjitha institucionet janë margjinalizuar. Një vit para se të ndodhë kjo ngjarje njëri nga prokurorët ka thënë se kanë pasur kërkesë për ekstradim. Por përgjigja e tyre ka thënë se nuk duan as të marrin pjesë në këto”, tha ai.

“…Çështja tjetër ka të bëjë me tejkalimin e institucioneve. Policia ka heqë dore nga mandati për të kryer operacionin policor. AKI-ja ka marrë autorizime policore, ka tejkaluar mandatin e vet. Policia në terren nuk ka komunikuar me shefat e tyre. Kanë komunikuar me agjentë të AKI-së. Shteti me vetëdije kryen shkelje penale. Mustafa Erden ka qenë person që ka aplikuar në Kosovë me shtetësi të Shqipërisë. Ish dashtë që këtë ta deportojmë në Shqipëri sepse ashtu thotë ligji e jo atje ku është deportuar.

“…Çështja tjetër është gënjeshtra në dëshmi para komisionit. Shefi i AKI-së dhe i policisë me deklarata të kundërta mes vete. Nëse personat e sigurisë janë të gatshëm që nën betim të dëshmojnë rrejshëm çfarë janë në gjendje t’i bëjnë Kosovës. Nuk është çështja vetëm e deportimit, por është çështja e sigurisë. I bëjmë thirrje prokurorisë që persona të tillë duke filluar nga Presidenti të marrin masa dhe të mos jenë në këto pozita”.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, akuzoi komisionin se ka bërë shkelje me punën e tij ndërsa bëri thirrje që prokuroria të zbardhë rastin, por të mos bazohet në këtë raport.

“Së paku në tri raste janë marrë dëshmitarë pa kuorum, që nuk mund të përdoren në raportin përfundimtar sipas ligjit. Komisioni në disa raste ka vepruar në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Publikimi i informatave nga kryesuesi dhe anëtarët e tjerë është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Raporti përmban detaje të shumta mbi burimin e provave dhe kjo përbën edhe shkelje tjetër. Raporti është lëshuar shumë në detaje dhe nuk është etike të ketë aq shumë detaje. Prokuroria të zbardhë sa më shpejtë rastin, por të mos bazohet në raportin tonë”, tha Beqa, raporton EO.

Shefi i GP-të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se dëmi i parë është sjellja e një dëmi të papranueshëm të një relacioni të shteti tonë dhe një shtetit tjetër.

“Kjo e ka prek funksionimin e drejtësisë në Kosovë, relacionet që e kanë institucionet mes vete. Prej presidencës e deri te AKI, policia dhe gjyqësori përmes segmenteve të kontrolluara brenda janë të përfshira këtu.  Presidenti Thaçi ka qenë dirigjenti i kësaj gjendje të rëndë. E dini që me Kushtetutë tonë nuk ka pasë nevojë me marrë Driton Gashin si këshilltar. Ligji për AKI thotë në mënyrë kushtetuese drejtori i AKI është këshilltari i Thaçit. Sa i përket përgjegjësisë e vetmja që ka mbet të vërtetohet prej institucioneve të gjyqësorë është a e ka thirr Hashim Thaçi Driton Gashin dhe ia ka dhënë urdhrin apo Driton Gashi e ka bërë këtë veprim krye në vete”, tha ai, raporton EO.

AAK ka ofruar përkrahjen për raportin e Komisionit Hetimor për ndriçimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Në emër të kësaj partie folit deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Pa asnjë dyshim AAK do ta votojë. Të gjeturat e raportit janë argumentuar në komision dhe janë tejet të qëndrueshme. Se kush e ka ditë dhe kush jo, nuk e dimë, por komisioni nuk ka arritur të argumentoj asnjë prej këtyre. I ftoj të dy palët që të gjykojnë me kokë të ftohtë dhe ta japin votën e tyre pro apo kundër. Kam frikë që qysh kanë fillu debatet rreth kësaj teme është rreziku edhe votimi i këtij raporti”, tha Nitaj.

Edhe Partia Socialdemokrate ka dhënë përkrahjen për raportin.

Deputeti Frashër Krasniqi ka thënë se duhet të votohet ky raport pasi është përgatitur mirë.

“Procesin e deportimit të shtetasve turq ai e ka quajtur pazar për favore politike mes politikanëve të Kosovës dhe atyre në shtete tjera. Nuk po e kuptoj shqetësimin e PDK-së dhe Hashim Thaçit për raportin. Tash e disa muaj raporti është në publik dhe kurrfarë dëmi nuk pat Kosova. Pse gjithë ky shqetësim që publiku me dëgju të vërtetën për këtë proces”, tha ai.

Deputeti Haxhi Shala nga Nisma tha se e mbështesin raportin ndërsa shtoi se veprimi i deportimit ka qenë i keq në raport me shtetin mik, Turqinë.

“Ne si shtet nuk i kemi dhënë një përgjigje shtetit tonë mik, por kemi vepruar në mënyrë më të keqe në rastin e dëbimit të shtetasve turq”, tha ai.

Të ngjashme