Opozita e ka akuzuar pushtetin në kryeqytet se ua kanë dhënë bashkëpartiakëve, menaxhimin e Pishinës së Gërmisë, raporton Ekonomia Online.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë për Ekonomia Online, se pas shpalljes së tenderit nga Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing”, fituesi ka dalë të jetë sekretari i degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, ku kryetar i saj është nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.
Sipas tij, çdo gjë publike, LDK po dëshiron ta privatizojë dhe t’ua jep bashkëpartiakëve.
“Këtë shqetësim e kemi ngritur ne si Lëvizje Vetëvendosje konkretisht asamblisti ynë Petrit Reçica, pas një thirrje për një kontratë për një tender në lidhje me dhënien në shfrytëzim të pishinës së Gërmisë dhe ka rezultuar se fitues të jetë një kompani e pronari i së cilës sipas të dhënave në agjencionin për regjistrimin e bizneseve është sekretari i degës së tretë të LDK-së, ndërkohë që kryetari i degës së tretë është nënkryetari Alban Zogaj. Kjo shpërfaq më së miri mendësinë shfaqëse dhe abuzuese të LDK-së në kryeqytet ku çdo gjë që është publike duan ta privatizojnë dhe të iu jepen në shërbim bashkëpunëtorëve të tyre eksponentëve të partisë së tyre”, ka thënë Sveçla.
Sveçla tha se është për keqardhje kjo çështje, derisa ka ftuar edhe organet e hetuesisë që të merren me këtë çështje.
“Mendoj se është e udhës që organet e hetuesisë prokurorisë të merren me këtë çështje sepse si ndodhi që pikërisht Pishina e Gërmisë t’i jepet një sekretari të degës së LDK-së dhe ai rezultojë se është i vetmi kandidat e vetmja kompani ose operatori ekonomik që ka aplikuar për këtë çështje. Kjo në anën tjetër e dëshmon edhe paaftësinë menaxheriale të kësaj partie në ndërmarrje komunale publike Sport Marketingu që e menaxhon pishinën e Gërmisë është pranë bankrotit, ka vonesa të pagave për punëtorët në anën tjetër ne e kemi subvencionuar si kuvend komunal, mirëpo keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi që kanë ndodh kanë pru në këtë situatë ku po ndodh tani edhe dhënie në shfrytëzim e pishinës së Gërmisë dhe po ndodh pikërisht për eksponentë të partisë së LDK që janë në pushtet”, theksoi Sveçla.
Të martën me 28 maj, Kompania Publike, Sport Marketing, njotoi se në bazë të vlerësimit të ofertave publike në thirrjen e tenderit “Menaxhimi i pishinës dhe shërbimet hoteliere në pishinën e Gërmisë në Prishtinë”, Ofertuesi “Delice caffe SH.P.K” ka fituar në bazë të çmimit të ofruar.
Ndaj këtij vendimi, sipas kësaj kompanie, palët e pa kënaqura mund të paraqesin ankesë në afat prej shtatë ditë, nga data 28 maj deri me 5 maj 2024.