Sveçla vizitoi komunat e Vushtrrisë, Mitrovicës dhe pikën kufitare në Jarinje

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

U.d ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka takuar nënkryetarin e Komunës Besim Muzaqi nga i cili u njoftua për gjendjen në Komunë në përgjithësi e veçanërisht për fshatin Smrekonicë ku tashmë janë disa të
infektuar.

Ai po ashtu ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi.

Me këtë rast, Sveçla u njoftua nga z. Smakiqi për së afërmi me gjendjen dhe kushtet për banim në kampusin e Akademisë, ku u bë e ditur se Akademia e
Kosovës për Siguri Publike ka kapacitet për strehimin dhe akomodimin e 686 personave.

Sot, Sveçla gjithashtu vizitoi kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, “Belvedere” në Mitrovicë.

Këtu, z. Sveçla i shoqëruar nga një delegacion i MPBAP ka parë kushtet e akomodimit që ekzistojnë në këtë kamp, në rast se Republika e Kosovës do të mund të ballafaqohej me një fluks të refugjatëve.

Aty u diskutua edhe për mundësinë e akomodimit të personave të riatdhesuar të cilët vijnë nga diaspora dhe janë të detyruar të futen në karantinë.

Pas kësaj vizite, u.d. ministri Sveçla u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ku u bisedua rreth ballafaqimit me Covid-19 dhe për mundësinë e marrjes së masave shtesë në kuadër të kësaj komune.

Në fund ministri vizitoi edhe pikën kufitare në Jarinje ku u interesua për mbarëvajtjen e punës aty. Nga përgjegjësit në këtë pikë kufitare, u bë e ditur për procedurat e kontrollit të cilat po bëhen duke u respektuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së.

Të gjitha vizitat e Sveçla u bënë në vazhdën e mobilizimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Të ngjashme