Raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk është votuar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor pasi munguan të dhënat lidhur me të gjitha lapidaret që ndodhen në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi Bislim Zogaj, drejtoi i Agjencisë për Komplekset Memoriale kërkoi që të shtyhet votimi i raportit pasi janë në fazën finale të raportit.
Sipas tij, komuna nuk kanë bashkëpunuar dhe nuk u kanë dhënë informatat e kërkuara.
“Kemi punuar në këtë drejtim ja kemi sjell vetëm si emra dhe nuk kemi mund ta sjellim si keni kërkuar nuk kemi pas staf, tani jemi kompletuar dhe kemi filluar me marr informata, sa janë ku janë”.
“…kemi pas pengesa kemi kërkuar prej komunave për informata dhe s’janë dërguar, kemi kërkuar nga nënkryetarët e komunave dhe sa janë ato lapidare, jemi në proces dhe do të dalim në teren për t’i fotografuar, ua kemi sjell listën e emrave të lapidarëve që janë në menaxhim të agjencisë, do të jeni të gatshme për 10 ditë”.
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, tha se shqetësuese është pse komuna nuk kanë dhënë përgjigjet e nevojshme për përgatitjen e raportit.
“Shqetësim është se pse komunat nuk ju kanë dhënë të dhënat, nuk duhet të lëshoni në administrator të fshatrave. S’kemi me i pas për 10 ditë, të këmbëngulim nga kryetarët e komunave të takoheni dhe të kërkoni zotim që do t’i mbledhin këto të dhëna, ne e kemi të pamundur të votojmë këtë raport dhe të mblidhen të dhënat”.
Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, kishte dyshime për keqpërdorime të mundshme, raporton EO.
“…na interesojnë të dhënat, kjo çështje është me vite të tëra dhe s’ka qenë e pamundur me i mbledhur, propozim me e shty për me u kompletuar të dhënat, ka edhe dyshime për korrupsion”.
Deputeti i VV-së, Salih Zyba, kërkoi sqarime shtesë për raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
“Ma herët keni thënë se s’kemi staf, por pare kemi mjaftueshëm, sugjerim që komuna me ju ofruar bashkëpunim edhe me mjete. Kërkoi që me qenë elektorin me u paraqit të dhënat. Jam për me i dhënë në shtysë përpara, por dua zotim se kur”.
“…është shqetësuese atë që thua se nuk ka bashkëpunim me komunat, ju si kryetar i agjencionit me ju dërguar shkresë dhe pas një jave me u takuar. Ne mundemi me kërkuar edhe nga partitë që kryetarët e komunave përkatëse me bashkëpunuar, nga administratorët e fshatrave të moskërkohet kjo, por nga komunat”.
Komisioni ka vendosur që të presë Agjencinë në një afat prej dy javësh për sjelljen e këtyre të dhënave në mënyrë që atëherë ta votojnë dhe përcjellin për seancë këtë raport.
Kjo është hera e dytë që ky raport nuk ka kaluar në këtë komision. Kjo pasi që as të parën herë e as tani Agjencia nuk ka arritur të sigurojë të gjitha të dhënat e kërkuara nga komisioni.
Komisioni ka miratuar Projektligjin për Produkte Biocide; Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit.