Si shumica e klinikave të QKUK-së, edhe Emergjenca po përballet me mungesë të profesionistëve shëndetësorë. Nga 33 specializantë që ishin para katër vitesh, ky numër ka rënë në 19, si shkak i ikjes jashtë vendit, kka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
Syla ka thënë se largim nga puna ka edhe nga kuadri i mesëm por që në numër pak më të vogël.
Sipas Sylës, me këtë problem po përballet e gjithë mjekësia në vend, ndërsa shqetësuese e sheh edhe mosinteresimin e specializantëve për të studiuar mjekësinë emergjente.
“Ne jemi duke u përballur me një problem të tillë jo veç këtu në Qendrën Emergjente, mirëpo po flasim në përgjithësi për mjekësinë emergjente në tërë territorin e Kosovës. Ne kemi pasur disa takime me ministrin e Shëndetësisë dhe jemi dakorduar, për shkak se dy konkurset e fundit që janë hapur nga Ministria e Shëndetësisë kanë prezantuar një numër shumë të vogël të mjekëve të ri që kanë marrë specializimin nga mjekësia emergjente, do me thënë ka rënë ai interesimi për ta specializuar mjekësinë emergjente. Fatkeqësisht arsyen nuk e di, ndoshta është për shkak se është një prej lëmive më të rënda dhe një prej lëmive që manifestohet me nivelin e stresit më të lartë, mirëpo ka rënë numri i të interesuarve”, ka thënë Syla, teksa thekson se mungesa vërehet edhe në qendrat tjera rajonale.
“Këtu në qendrën emergjente, ne për momentin edhe pse është mosha pak më e lartë e mjekëve të emergjencës, mbi 55 vjet është mesatarja, mirëpo ne këtu jemi të kompletuar sa i përket kuadrit, po në periferi në 7 qendrat tjera kemi mungesë shumë të madhe të specialistëve të emergjencës. Kurse sa i përket kuadrit të mesëm, normalisht kemi mungesë në qendrën emergjente, por dy konkurset e mëhershme që janë shpallur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ne na kanë furnizuar me një numër të teknikëve, tash po e presim këtë konkursin tani që ta plotësojmë numrin e infermierëve që na mungojnë për momentin”, ka thënë tutje Syla.
Nga 33 specializantë që ishin para katër vitesh, ky numër ka rënë në 19-të për shkak të ndërprerjes së specializimit për tu larguar nga vendi.
“Sa i përket qendrës emergjente, në kuadrin e specializantëve që tani janë viti i 4-të, do të thotë para 4 viteve në Qendrën Emergjente kam pasur dikund 33 specializantë, është fjala për krejt territorin e Kosovës, mirëpo tani në vitin e 4-të i kam vetëm 19-të. Do të thotë ajo pjesa tjetër e specializantëve e kanë ndërprerë specializimin dhe kanë dalë jashtë Kosove. Kurse sa i përket kuadrit të mesëm, këtu është një numër më i vogël i daljes, po mendoj i lëshimit të punës dhe daljes jashtë shtetit tonë. Mirëpo prapë se prapë ka edhe nga kuadri i mesëm, nga infermieria e kanë ndërprerë punën në qendrën emergjente dhe kanë kërkuar jashtë vendit punë tjetër”, u shpreh Syla.