Në veri të Kosovës, autoritetet e rendit po i bëjnë përgatitjet për fillimin e procedurave për regjistrimin e veturave me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, qytetarët nga veriu, shprehin interesim që veturat e tyre t’i regjistrojnë me tabelat e lëshuara nga Kosova, ngase atje, për rreth 18 vjet, ka një lloj kaosi me tabela të vjetra, që datojnë që nga koha e ish-Jugosllavisë.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Flamur Sefaj tha për Radion Evropa e Lirë se një proces i tillë, zyrtarisht do të nisë shpejt dhe do të jetë mjaft i rëndësishme për vendin dhe qytetarët në atë pjesë të Kosovës.
“Ju e dini se kjo është e paraparë në mënyrë mjaft precize me marrëveshjen e Brukselit. Qytetarët tanë në veri të vendit do të pajisen me tabelat me targat me akronimin ‘KS’. Do të regjistrohen të gjitha makinat, do të paguhen regjistrimet dhe do të paguhen sigurimet dhe taksat dhe shpenzimet që parashihen dhe do të ketë edhe të hyra. Por, para se gjithash do të jenë të regjistruar automjetet”, tha Sefaj.
Ministri Sefaj tha se në veri të Kosovës tashmë qytetarët po shprehin interesimin për t’u pajisur me tabela të Kosovës.
“Në mënyrë joformale edhe ka filluar që disa qytetarë të kërkojnë këto targa, por duhet ta formalizojmë tash shumë shpejt”, tha ministri Sefaj.
Në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 14 shtator të viti 2016, ishte përmbyllur marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e automjeteve në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale të Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i veturave në veri të Kosovës do të krijojë një siguri më të madhe në vend, por edhe në trafik.
“Zbatim i kësaj marrëveshjeje është duke shkuar ngadalë sepse ende në qytetin e Mitrovicës Veriore kemi vetura të cilat ose janë pa targa ose janë me regjistrime të vjetra të Prishtinës, Pejës ose [KM] Mitrovica e Kosovës. Shpresoj se niveli qendror bashkërisht me Policinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme do të kenë një mekanizëm më të organizuar që ky regjistrim të jetë më i rregullt”, tha Hoxhiq.
Në anën tjetër, ministri Sefaj tha se regjistrimi i veturave me tabelat ‘KS’, në veri të Kosovës nuk është çështje politike apo etnike sa është çështje ekonomike.
“Me tabelat ‘KS’ qytetarët nga veriu mund të udhëtojnë në Republikën e Serbisë në shtetin fqinj pa i paguar taksa dhe pa kaluar në ato procedura për mbulimin tabelave me stikera dhe pagesat formale”, tha Sefaj.
Në Kosovë, aktualisht vetura mund të regjistrohen në dy lloje të regjistrimeve në RKS dhe KS, për këtë të dytën duhet të paguhet një taksë shtesë dhe një arsye për atë lloj të tabelave.