Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, pas takimit me Ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se kanë diskutuar për problematikat me të cilat po përballet ky sektor, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për temat e trajtuara në takim, ai theksoi problematikat që po përballet ky sektor.
“Fillimisht e falënderuam ministrin për gatishmërinë që pati për me na prit sot për me i diskutu problematikat që kemi si sektor i ndërtimit. Ne si Shoqatë e Ndërtimit nuk përfaqësojmë vetëm ndërtuesit në Kosovë, përfaqësojmë komplet sektorin e ndërtimit duke përfshirë edhe qytetarët që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit. U diskutua për problematikat aktuale të cilat janë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë. Ne erdhëm me disa kërkesa sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë duke përfshirë nga shpërndarja e përgjegjësisë, duke pasë parasysh praktikat e Bashkimit Evropian që janë punëdhënësi, punëtori dhe institucioni. Ju ofruam bashkëpunim ministrit dhe ministrisë sa i përket neve si shoqatë, do të jemi një urëlidhëse mes institucioneve dhe sektorit të ndërtimit“, tha ai.
I pyetur për rastet e fundit të vdekjeve në vendin e punës dhe zgjidhjet e mundshme, Vataj tha se i kanë përmendur edhe masat që duhet të ndërmerren.
“Ne gjatë takimit i ngritëm të gjitha këto problematika duke pasë parasysh që edhe punëtorët duhet me u bë pjesë e përgjegjësisë sa i përket sigurisë në punë për respektimin e standardeve të sigurisë. Normalisht sa i përket punës së vendosjes së elementeve të sigurisë ato janë të padiskutueshme, ne nuk kemi ardhë që të kërkojmë diçka për lehtësim se ato janë standarde që nuk diskutohen. Mirëpo sa i përket punës së zbatimit të tyre do të kenë përgjegjësi edhe punëtorët sigurisht, ata që janë pjesë e punës; në qoftë se ato nuk zbatohen atëherë është problem shumë. Njëkohësisht një shqetësim për neve si shoqatë është edhe puna e certifikimeve, në këtë rast edhe puna e trajnimeve për siguri në punë, e cila kohët e fundit po shihet si një lloj formaliteti. Dhe e ngritëm si shqetësim te ministri për të marrë masa më të rrepta sa i përket certifikimit për sigurinë dhe shëndetin në punë“, tha ai.
Ndërsa lidhur me përgjegjësinë e punëdhënësve për rastet në vendin e punës, ai tha se e kanë diskutuar edhe këtë çështje.
“Ne e ngritëm këtë si problem, se për neve si shoqatë është jashtëzakonisht… është njëra prej sfidave më të mëdha kjo. Edhe tash pritet me u bë plotësim-ndryshimi në ligj edhe ne do të jemi pjesë e këtij ndryshimi, plotësim-amendamenteve të cilat kanë me qenë për me e plotësu ligjin, kuptohet konform standardeve të Bashkimit Evropian. Besoj që këto kanë me u bë edhe pjesë e diskutimeve dhe njëkohësisht u diskutua dhe u pajtuam bashkërisht që në ditët në vijim të fillojmë një fushatë sensibilizuese, vetëdijësuese për ndërtimin, kompanitë e ndërtimit dhe sigurinë dhe shëndetin në vendpunishte“, përfundoi ai.
