Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, ka kritikuar mediat dhe mënyrën se si ato kanë parashtruar pyetje rreth çështjeve politike, të mërkurën, gjatë përurimit të punimeve të reja në Klinikën e Kardiologjisë, raporton Ekonomia Online.
Dietz tha se edhe pse e kupton rëndësinë e politikës dhe punën e mediave, një situatë e tillë kërkon edhe ndjeshmëri ndaj kontekstit.
“Kuptoj që kjo është puna juaj dhe politika e brendshme është shumë e rëndësishme dhe jemi në mes të diskutimeve të vështira, por sot është gjithashtu ‘koha e duhur’ për të treguar respekt për të gjithë mjekët, infermierët dhe stafin shëndetësor që punojnë të lodhur duke ofruar kujdes shëndetësor cilësor për popullin tuaj”, u shpreh Dietz.
Sipas tij, në raste të tilla, duhet të ketë një balancë mes interesit politik dhe respektit për profesionistët shëndetësorë që shërbejnë në spital.
“Ne gjithashtu duhet të gjejmë kohë të gjithë së bashku… jemi këtu në spital edhe për t’i nderuar ata”, theksoi ai.
