Tahiri: Albin Kurti e ka ndalur Kosovën, pa e bërë hapin e parë nuk mund ta bash të dytin

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se partia që ka fituar zgjedhjet po tenton të presë lodhjen e deputetëve, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se deputetët nuk kanë punë tjetër pos të vijnë sipas tij në vendin dhe karrigen që qytetari ua ka dhënë me votë.

“Marrja më e madhe që e ka kapluar partinë politike që i ka fituar zgjedhjet, e e cila po i thotë tash, qysh na thoshte neve struk diçka në zyrat e veta e po na dëgjon çka do të themi këtu e po mendon që ne do të lodhemi, do të mendojë që këto veprimet tona nuk do t’i bëjmë për shkak se mundemi me pa ndryshe apo kështu. Por ne s’kemi punë tjetër, nuk kemi detyrë tjetër veçse me ardhë në vendin tonë, karrigen tonë, sallën tonë që na ka besuar qytetari i Kosovës me votën e vet, që na ka dhënë sovrani edhe i cili i kërkon me plot të drejtë prej neve kudo që jemi, në rrugë e në institucione me na parë dhe me lënë institucionet”, tha ai.

Tahiri tha se konstituimi i Kuvendit nuk lidhet me asnjë kusht tjetër, përveç verifikimit të mandateve të deputetëve.

“Qytetarë të Kosovës sot i kam dy porositë të vetme, Konstituimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës nuk lidhet me asgjë. E ka vetëm një kusht dhe ai kusht është neve që jemi zgjedhur deputetë, jemi certifikuar prej KQZ-së me na verifikuar mandatet. Kjo ka ndodhur. Asnjë kusht tjetër, as ligjor, as kushtetues, as politik nuk ekziston mos me ardhur me i themeluar këtë institucion të Kosovës”, tha ai.

Sipas Tahirit, moskonstituimi i Kuvendit është pengesë për funksionalizimin e institucioneve.

“Moskonstituimi i këtij institucioni është sikur me dashur mos me bërë hapin e parë. E për pa e bërë hapin e parë nuk mundesh me e bërë as të dytin, as me e mbërritur 100 metërshin, as me përfunduar maratonën e asgjë tjetër në jetë”, tha Tahiri.

Ai ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po e pengon Kosovën që të bëjë hapin e parë drejt konstituimit të institucioneve.

“Prandaj, Albin Kurti sot e ka ndalur Kosovën mos me e ndalur, mos me e bërë hapin e parë. Dhe ne jemi këtu me thirrur me e bërë hapin e parë dhe me ndodhë marrëveshjet politike. Si Aleancë, ne jemi pro konstituimit të Kuvendit. Ne jemi pro zgjedhjes së Presidentit. Ne do t’i ofrojmë shtatë votat tona në shkëmbim jo të pjesëmarrjes në qeveri e as të ndonjë pozicioni tjetër, veçse të miratimit të 6 pikave. Këto 6 pika kurrë nuk janë diskutuar. Letrat që na i kanë dërguar partitë politike kanë qenë tentim me na futë në diskursin e tij politik për benefitet e tija politike dhe publike, por që s’kemi pranuar”, u shpreh ai.

Tahiri tha se Aleanca ka një kërkesë për gjashtë pikat dhe se deri më tani nuk ka pasur deklarim zyrtar.

“Ne e kemi një kërkesë thjesht dhe pro-deklarim për 6 pikat tona. Ende nuk ka pasur asnjë deklarim zyrtar. Ndaj zotit Kurti, përveç votave të veta, partnerëve të vet, i ka edhe votat e Aleancës për me e zgjedhur Presidentin. Por nuk po do me e zgjedhur Presidentin për shkak se ai do logjikën e tij që ne lodhemi, por nuk e kemi ndërmend me u lodhur, se kemi besim; logjikën e tij se ne gjunjëzohemi, por nuk e kemi plan me u gjunjëzuar; dhe logjikën e tij që ai, duke marrë kohë, na vendos përpara një akti të presionit për zgjedhje më 27 dhjetor, kur ai po mendon që do të fitojë. 27 dhjetori do të jetë humbja e tij më e madhe në këtë që ka pasur”, deklaroi në fund Tahiri.

Të ngjashme