Zëvendëskryeministri në detyrë dhe njëherësh kandidat për deputet të Kuvendi të Kosovës Besnik Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se çelës i këtyre zgjedhjeve është edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm.
‘Në këto zgjedhje njerëzit nuk votojnë vetëm për Parlamentin e ardhshëm ose Qeverinë e ardhshme. Çelësi i vërtetë i suksesit të këtyre zgjedhjeve është se kush do të zgjedhet presidenti i ardhshëm. Vendi ynë ka nevojë tani për një qeveri që vazhdon me reformat e nevojshme, por edhe më shumë për një president që është i palëkundur në raport me interesin e Shtetit’, ka shkruar ai.
Më tej Tahiri ka thënë se vendit i duhet një Presisnet që i vihet përball Vuçiqit, sa herë që ai rrezikon interesin e Kosovës.
‘Një President që i vihet përballë Vuçiqit, sa herë që ai rrezikon interesin e Kosovës. Thelbi i këtyre zgjedhjeve është se kush do të jetë president i Kosovës, Ramush Haradinaj apo Vjosa Osmani, dhe cili prej tyre do të mund të përballej me një kundërshtar të papërshtatshëm siç është Vuçiq. Kjo është çështja për të cilën vendosin qytetarët më 14 shkurt. Prandaj, ftesa e Ramush Haradinaj për një debat publik me Vjosa Osmanin, për të paraqitur vizionin e tyre për vendin, e për të diskutuar çështjet thelbësore me Serbinë, njohjen dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB, ishte më se e nevojshme’, ka treguar ai.
‘Qytetarët kanë të drejtë dhe duhet t’i dëgjojnë kandidatët për president. Shmangia e një ballafaqimi publik, nuk është mënyra më e mirë për ta arsyetuar kandidaturën për president, e aq më pak për ta dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë si dy elemente thelbësore për një president’, përfundoi Tahiri.