Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, pas vendimit të gjykatës në Colmar të Francës për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar se sot Haradinaj e ka çliruar gjithë vendin.
“Ramush Haradinaj ta dish se sot s’e ke çliruar veten, por gjithë vendin! Urime! Edhe një betejë e fituar, sakrifica për dinjitet nuk ndalet Lirimi i Ramushit, përtej sakrificës, është dëshmi se Shqiptarët dhe Kosova janë shkëputur nga Serbia përgjithmonë”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.
Ashtu sikur edhe çlirimi i vendit, edhe ky proces ka dëshmuar se shqiptarët në momente të rëndësishme dinë të mobilizohen e të qëndrojnë të bashkuar. Për këtë, falënderimet janë të pafund për Shqiptarët në katër anët e botës”, ka shkruar ai.
“Përtej kësaj, kështu së bashku duhet të ecim në rrugën e gjatë drejt së ardhmes. Sakrifica dhe krenaria e Ramushit duhet të jetë energji e përbashkët për fuqizimin e shtetit dhe shtetësisë, duke mos harruar edhe ëndrrat e brezave për dinjitet të të gjithë Shqiptarëve. Së bashku duhet prekur ëndrrat! E kemi amanet dhe borxh për brezat që vijnë”, është shprehur tutje Tahiri.