Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online shprehet i bindur se Ligji për Paga do të hyjë në fuqi veç të shtator.
Sipas tij, ekzekutivi nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje prandaj zbatimi nuk do të mund të fillojë në mars edhe përkundër paralajmërimeve.
“Zotimin e Qeverisë e kemi që kjo të ndodh në fillim të marsit dhe kjo nuk do të ndodhë sepse për shkak Qeveria nuk e ka prioritet këtë çështje dhe fatkeqësisht nuk besoj që ky Ligj do të hyjë në fuqi deri në shtator”, tha ai.
Sipas tij, iniciativa Ballkani i Hapur është eksperiment shumë i rrezikshëm i iniciuar për fuqizimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiqit andaj Kosova nuk duhet të jetë pjesë e tij për shkak se nuk fiton asgjë.
“Ballkani i Hapur është eksperiment shumë i rrezikshëm i iniciuar për fuqizimin e Vuçiqit. Kosova mund të jetë pjesë kur të njihet nga Serbia. Qëndrimet dhe synimet e Kosovës duhet të jenë tepër strategjike”.
“Iniciativat rajonale kanë ndikim atëherë kur ne kemi vijë të qartë në integrimin në NATO në raport me vendin kandidat në BE dhe anëtarësimin në OKB. Ballkani i hapur është eksperiment që nuk duhet të kalojë dhe nuk duhet Kosova të jetë pjesë e saj për shkak se nuk fiton asgjë”.
Tahiri foli edhe për virusin Omicron i cili tashmë është prezent edhe në Kosovë, duke theksuar se duhet marrë seriozisht në mënyrë që të mos përhapet siç po ndodhë në të gjitha vendet e botës.
“Do të duhet të kemi kujdes sa i përket virusit Omicron. Shihet që është virus serioz. Ka diskutime të ndryshme që realisht shumë njerëz që kanë pasur një grip të rëndë a ka qenë ky version ne nuk e dimë. Mirëpo do të duhej të merrej me seriozitetin më të lartë dhe të mos ndodhemi prapë siç ndodhëm për Ligjin e Pagave që realisht kemi një situatë që Qeveria reagon mbasi që ndodh e keqja”.