Tahiri i Federatës Sindikale të Bujqve: “Me ngritjen e çmimeve, bujku punon me humbje”

Prishtinë | 29 Tet 2021 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ka deklaruar se tani me rritjen e çmimeve në treg, do të ketë raste të mijëra bujqve kosovarë që do të heqin dorë fare nga prodhimtaria sepse s’do kenë mundësi ta mbulojnë koston e prodhimit.

I ftuar në rubrikën Sytë 7 të emisionit Ora Shtatë në Klan Kosova, ai bëri një llogaritje të asaj se sa investon një bujk në prodhim të grurit dhe sa i del të fitojë në fund, tani me çmimet e ngritura në treg.

“Vitin e kaluar një thes pleh ka kushtuar 7.50 – 8.00 euro, ndërsa sivjet është 15.00 -16.00 euro një thes pleh 25 kilogramë, pra gati 100 përqind është ngritja e çmimit”.

“Bujkut i kushton 840 euro mbjellja e një hektari grurë: Plehu me çmimin sivjet i kushton 240 euro, fara i kushton 150 euro, nafta për të gjitha operacionet i kushton 150 euro, riplehërimi në pranverë dhe pesticidet do të kushtojnë rreth 200 euro dhe korrja 100 euro, e krejt këto bëjnë 840 euro”.

“Kur e marrin e përpjesëtojmë, gjegjësish e shumëzojmë me 18 cent çmimi i një kilogrami grurë, nëse një bujk e arrin rendimentin 350 kilogramë, atij ka për t’i kushtuar 630 euro, pra 840 euro i ka investuar, ndërsa do t’i fitojë 630 euro, dhe kjo është të punosh me humbje”.

Tahiri u ankua se nuk kanë hasur në mirëkuptim të Ministrisë së Bujqësisë dhe se ministri nuk ka dashur fare të bisedojë me ta për këto probleme.

“Ne mendojmë se ministri s’ka informacione, se anjë njeri s’do ta kishte ndëshkuar bujkun në këtë formë. Ndëshkimi qëndron te kriteri 50% me rendiment, përderisa sivjet e kemi pasur një vapë tepër të madhe dhe mesatarja e rendimentit të grurit nuk ka mundur të arrijë atë kriterin e kërkuar për të aplikuar për subvencionim, se tremijë kilogramë duhet bujku t’i dorëzojë për hektarë për ta fituar kriterin, e kjo ia pamundëson përfitimin e subvencionimit, dhe nëse edhe këtë nuk e arrin, bujku punon me humbje”.

“Frikësohemi që do të ketë rënie drastike të prodhimtarisë nga këto kritere të papërballueshme që i ka nxjerrë Ministria e Bujqësisë për përfitimin e granteve”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket arrestimeve që janë bërë ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie, ai shtoi se ka ende hapësirë që të arrestohen edhe persona të tjerë, sepse sipas tij aty kanë mbetur edhe disa “peshq të mëdhenj”, që sipas tij janë ata që kanë nxjerrë kritere të ashpra që ua vështirëson bujqve prodhimtarinë bujqësore.

Të ngjashme