Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit 100% shtet, Besnik Tahiri ka shkruar se AAK e PSD kanë shtylla të vecanta në planprogramin e tyre për mbështetje dhe siguri për bizneset dhe investitorët, raporton Gazeta Express.
Përmes një shkrimi në Facebook, Tahiri derisa ka shkruar se Kosova është në top 20-shen e ekonomike që kanë përmirësuar më së shumti mundësinë e të bërit biznes, ka përmendur edhe miratimin e ligjit për ndërmjetësimin vullnetar dhe të ligjit të ri për shoqëritë tregëtare.
“Kosova, renditet në top 20-shen nga vlerësimi i Bankës Botërore për ekonomitë që kanë përmirësuar më së shumti mundësitë e të ‘Bërit Biznes’. Ky vlerësim bazohet në lehtësira në marrjen e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, mbrojtjen e investitorëve dhe zbatimit të kontratave. Prishtina, është shembull i veçuar në eliminimin e barrierave lidhur me procesin e ndërtimit dhe inspektimit. Në të njëjtën kohë miratimi i Ligjit për Ndërmjetësimin Vullnetar dhe Ligjit të ri për Shoqëritë Tregtare kanë marrë vlerësime të larta. Në proces të përmirësimit të të bërit biznes, hartimi i Ligjit për Inspektoratet do ta bëjë Kosovën, me klimën më të përshtatshme për të bërit biznes dhe investime”, ka shkruar ai, derisa, tha se koalicioni AAK-PSD parasheh shtylla të vecanta për të mbështetur bizneset dhe investitorët.
“Programi, i koalicionit AAK-PSD, pas këtyre masave të vlerësuara, parasheh shtylla të veçanta në mbështetje dhe siguri për bizneset dhe investitorët. Masa këto, që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe nxitje të përshpejtuar të rritjes ekonomike e për rrjedhojë hapjen e reja të vendeve të punës.
100% Kosovë, është dëshmi e përkushtimit dhe instrument i sigurte në zhvillimin ekonomik”, tha ai.