Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se pavarësisht konsolidimit institucional dhe të shërbimeve, komunat ende vazhdojnë të operojnë me paqartësi ligjore, me kapacitete të kufizuara operacionale, teknike dhe profesionale dhe si të tilla, nuk po arrijnë të ndërtojnë një qasje strategjike dhe zhvillimore duke u kthyer në instrument të mirëqenies së qytetarit.
Në një intervistë për Gazeten e re, ai ka thënë se problemet politike po lënë anash brengat dhe shqetësimet reale të qytetarëve e për pasojë, dita ditës, po bie besueshmëria në këto mekanizma.
“Pra, thënë shkurt, dora e parë shtetit që është komuna nuk po arrin t’i zgjidh problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët”, ka thënë Tahiri.
GeR: Zotëri Tahiri, Komuna konsiderohet kontakti i parë i qytetarit me një institucion shtetëror. Po ashtu, ajo konsiderohet rregulluesi i parë i funksionimit jetës së qytetarit. Nisur nga ky fakt, cila është gjendja e komunës kosovare sot?
Tahiri: Pavarësisht konsolidimit institucional dhe të shërbimeve, komunat ende vazhdojnë të operojnë me paqartësi ligjore, me kapacitete të kufizuara operacionale, teknike dhe profesionale dhe si të tilla, nuk po arrijnë të ndërtojnë një qasje strategjike dhe zhvillimore duke u kthyer në instrument të mirëqenies së qytetarit. Komunat operojnë në një mjedis ku ndërvarshmëria e vendim-marrjes dhe ndërlikueshmëria e procedurave pengojnë në masë të madhe ushtrimin efektiv të detyrave dhe kompetencave që i kanë në mandatin e tyre. Po ashtu edhe vetë komunikimi brenda-institucional dhe përfshirja e qytetarëve në vendim-marrje mbeten kryesisht aspekte formale. Mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies vazhdojnë të jenë të dobëta e këtu kryesisht po flasim për rolin e kuvendit.
Si pasojë e tërë kësaj, qeverisja lokale shpesh luhat mes dështimit dhe rrugëtimit përpara. Ndërkaq, vetë qytetarët shpesh ndihen të dekurajuar me shërbimet publike dhe administrative që u ofrohen atyre. Këtu, i gjithë faji nuk mund t’u hedhet komunave pasi që operimi dhe vendim-marrja e operatorëve publik (ujësjellësit, mbledhjes së mbeturinave, energjisë, etj) nuk është krejtësisht në dorën e tyre dhe si e tillë po vazhdon të operojë në errësirë të plotë. Po ashtu, komunave u janë dhënë funksione dhe mandate për ofrimin e një game të gjerë shërbimesh dhe politikash. Ndërkaq, buxheti ka mbetur kryesisht në nivelin qendror. Përpos kësaj, korniza aktuale buxhetore u jep komunave rolin e administruesit, e jo rolin e qeverisjes reale.
GeR: Para disa dite ju reaguat në lidhje me mos promovimin e zhvillimit lokal, duke thënë se edhe 15 vite pas zgjedhjeve të para lokale e konstituimit të pushteteve lokale në vendin tonë, e posaçërisht 9 vite pas bërjes së Kosovës shtet, ende niveli i qeverisjes lokale nuk po bëhet prioritet i domosdoshëm për vendin. Ku qëndron problemi sipas jush?
Tahiri: Tash tetë vite pas miratimit në pako të legjislacionit dhe sprovimit gjatë zbatimit në praktikë, nivelit lokal i nevojitet një rregullativë që i kthen komunat në rolin real qeverisës nga ai i administrimit. Kjo do të mundësonte që pronësia dhe përgjegjësia e plotë e qeverisjes të validohet nga zgjedhësit. Në të kundërtën e kësaj, gjithë fokusi institucional i vendit po vazhdon të mbetet në dialogun politik dhe akomodimin e minoriteteve. Ndërkaq, qasja e sektorëve nacional apo ministrive të linjës po vazhdon të zhvillohet bazuar në politikën ditore me veprime ad-hoc, dhe si e tillë, po zbeh iniciativat e komunave, bizneseve, dhe investitorëve në zhvillimin e qëndrueshëm dhe koheziv të nivelit lokal.
Problemet politike po lënë anash brengat dhe shqetësimet reale të qytetarëve e për pasojë, dita ditës, po bie besueshmëria në këto mekanizma. Pra, thënë shkurt, dora e parë shtetit që është komuna nuk po arrin ti zgjidh problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët.
Andaj, është i domosdoshëm një proces i reformës i cili do të ofronte komunave funksionalitet të plotë dhe se pavarësisht sfidave politike dhe nacionale, komunat do të kryenin rolin e ofruesit të shërbimeve, ndërtimin e strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Edhe vetë trendet ndërkombëtare po shkojnë kah një qasje e fokusuar në nivelin lokal. Për këtë, shtrohet nevoja që edhe në Kosovë të kthehet vëmendja në problemet reale në komuna, nga aty ku zhvillohet jeta e qytetarit.
GeR: KLGI është nga të paktat institute në vendin tonë që specializim ka fushën e qeverisjes lokale. Ju dhe institucioni që drejtoni ka provuar profesionalizimin jo vetëm të këshilltarëve e krerëve komunal, por edhe të shërbyesve komunal. Sa mendoni që kanë përfituar nga angazhimi shumë specifik i punës tuaj?
Tahiri: Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mund të thuhet se ka ndërtuar rrjetin më të madh të edukimit për zyrtarët komunal, ku në programet e tij përfshin sesione ligjërimi dhe trajnimi, shkëmbim të përvojave rajonale, punë grupore dhe diskutime të fokusuara të akterëve lokal.
Përmes programeve, Instituti KLGI trajton fushat dhe dimensionet kryesore ku shtrihet dhe operon qeverisja lokale. Instituti KLGI ka bërë një shtrirje të aktiviteteve dhe angazhimeve edhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtar përmes partneritetit dhe pjesëmarrjes në platformat kryesore të qeverisjes lokale në rajon dhe Evropë.
Aktualisht, KLGI ka tri programe në zbatim: Programi i edukimit të zyrtarëve komunal LGA;Programi i fuqizimit sektorial të komunave LGA Empoëer dhe Programi i përkrahjes funksionale dhe të reformës së nivelit lokal nëpërmjet grantit institucional DSP II.
Nëpërmjet këtyre programeve, bazuar në strategjinë e KLGI-së 2016-2018, synohet një intervenim i fokusuar dhe sektorial në fuqizimin e nivelit lokal, adresimit të problemeve në nivelin qendror dhe para së gjithash, përgatitjen dhe përkrahjen direkte të politikave dhe nismave komunale.
GeR: Republika e Kosovës është vendi me eksperiencën më interesante kur flasim për decentralizimin. Është thënë se ky decentralizim për nga mënyra ishte bërë me imponimin e rrethanave politike, kurse për nga natyra ishte etnik e që bije ndesh me parimin multi-etnik që promovon shteti i Kosovës. Cilësimin interesant ia jep mënyra e realizimit të këtij decentralizimi apo natyra e saj?
Tahiri: Që në nisje, procesi i decentralizimit në Kosovë ka pasur vetëm një fokus; atë të akomodimit të minoriteteve. Për pasojë, edhe vetë zbatimi i këtij procesi ka vazhduar me të njëjtën qasje duke lënë anash aspektet funksionale të këtij procesi. Pra, edhe mënyra e realizimit edhe natyra e këtij procesi janë përdorur si instrumente të akomodimit të minoriteteve.
Megjithatë, duhet theksuar se jo vetëm në Kosovë njihet kjo praktikë ku përmes decentralizimit synohet të arrihen synime politike apo gjetje e solucione për ndërtimin e paqes. I gjithë rajoni, përfshirë Bosnjën e Hercegovinën dhe Maqedoninë, kanë kaluar nëpër një proces të ngjashëm.
Në hapjen e diskutimit të këtij procesi atëkohë pata propozuar një qasje përmes një udhërrëfyesi për decentralizim efektiv. Por, vetë sponzorizuesit e këtij procesi shtynin më tepër decentralizimin politik sesa atë efektiv. Pra, duhet theksuar se decentralizimi nuk ka pasur debat të mirëfilltë, nuk ka pasur qasje të kujdesshme në lidhje me funksionalitetin dhe zbatushmërinë në terren.
Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht se ky proces ka kaluar pa debat dhe analizë, ka edhe disa përparësi të tij. Avantazhi është se kemi huazuar modele të sprovuara, të dëshmuara dhe të suksesshme. Ky huazim na shkurton rrugën duke kursyer energji dhe kohë. Mirëpo duhet theksuar se jo gjithnjë konteksti lokal, si dhe mundësitë tona reale na mundësojnë që të arrijmë objektivat me modele të para-dhëna. Kjo, pastaj kërkon korrigjim, i cili nuk është i mundur pa fokus dhe energji.
GeR: Cila do të mund të ishte mënyra më e mirë për ta vënë në agjendë të prioriteteve zhvillimin lokal nga garniturat politike në vend?
Tahiri: Është shumë e rëndësishme të adresohet nevoja për ti ofruar nivelit lokal funksionalitet të plotë. Për t’u arritur kjo, duhet të ketë ndryshme rrënjësore të disa ligjeve sektoriale, që do t’i ndihmonin komunat në nxitjen e investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin lokal.
Për më tepër, në mënyrë që zhvillimi lokal të vihet në agjendë të prioriteteve të garniturave politike në vend, duhet të bëhet një analizë e trendeve dhe performancës së autoriteteve të nivelit lokal lidhur me ofrimin e shërbimeve në mënyrë që të shihet impakti i institucioneve të pushtetit lokal në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.
Po ashtu, duhet të ndërtohet një hartë e qartë e politikave dhe veprimeve që duhet të ndërmerren nga të dyja nivelet për ti dhënë autonomisë lokale dhe kapacitetet e nevojshme buxhetore, teknike dhe operacionale për t’u kthyer në mekanizëm të zhvillimit dhe shërbimeve me performancë të lartë.
Trendet ndërkombëtare ka kohë që kanë kaluar nocionin e qeverisjes së mirë; ato tani janë duke u angazhuar me fokus në zhvillimi ekonomik lokal si mënyrë për të shtyrë përpara kohezionin social, andaj edhe Kosova duhet të shtojë dinamikat në mënyrë që të jetë në hap me trendet zhvillimore.