Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me rastin e shënimit të “Javës Kundër Korrupsionit”, ka vlerësuar se Republika e Kosovës tanimë ka një infrastrukturë dhe bazë më të fuqishme ligjore, në luftimin e korrupsionit dhe sipas tij, shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj, mbesin hallka më e fuqishme në raportimin dhe luftimin e korrupsionit në vend.
Deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:
Shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin të përkushtuara për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, duke ngushtuar hapësirën e veprimit të akterëve korruptiv dhe duke rritur në mënyrë drastike masat kundër tyre.
Shënimi i Javës Kundër Korrupsionit, këtë vit Republikën e Kosovës dhe organet e saj të drejtësisë i gjen më të kompletuara se kurrë më parë dhe me një mentalitet të ri ligjor për të luftuar korrupsionin dhe çdo derivat të tij.
Tashmë Kodi i ri Penal që ka rritur bazën e ndëshkimit për akterët e korrupsionit është në fuqi. Me të, kemi shënuar bazën më të fuqishme ligjore në nivel rajoni e me gjerë, duke paraparë masa të ashpra për çdo veprimtari korruptive që cenon integritetin e institucioneve dhe buxhetin e taksapaguesve të Republikës së Kosovës.
Paralelisht me Kodin e ri Penal, Ligji i ri për Konfiskimin e Pasurisë i ka dhënë bazë të fuqishme organeve të zbatimit të ligjit për të konfiskuar çdo pasuri të përfituar nga veprat korruptive, duke pamundësuar shfrytëzimin e saj nga personat e përfshirë në afera korruptive.
Përveç masave ndëshkuese që i kanë dhënë karakter të fuqishëm luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kemi punuar edhe në drejtim të mbrojtjes ligjore për qytetarët dhe zyrtarët që sinjalizojnë veprimtaritë e dyshimta dhe korruptive.
Me ligjin e ri për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ju kemi mundësuar bazë të sigurt dhe të fuqishme të mbrojtjes juridike për secilin qytetar dhe zyrtar brenda institucioneve të cilët ekspozojnë çdo dyshim të bazuar të natyrës korruptive, gjë që është në funksion të rritjes së integritetit të sferës institucionale dhe parandalimit të korrupsionit.
Krahas rritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, themelimit të Departamentit Special që trajton çështjet e korrupsionit brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës, këto tre shtylla legjislative i kanë dhënë institucioneve të zbatimit të ligjit një model unik dhe të fuqishëm për të vënë para përgjegjësisë secilin person që ushtron veprimtari korruptive.
Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi, me të drejtë presin efikasitet më të madh në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Jam i sigurt se me ndryshimet dhe reformat që kemi përmbushur gjatë dy viteve të fundit, një synim i tillë do të bëhet realitet i pashmangshëm.