Autonomia fiskale e dobët, aspekti i gjenerimit të të hyrave vetanake në komuna dhe buxheti janë vetëm disa nga problemet dhe defektet në Ligjin aktual për financat e pushtetit lokal.
Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri.
“Janë një numër problemesh, një numër i çështjeve që duhet të trajtohen në ligj dhe që janë problem. Fillimisht autonomia fiskale është e dobët, e dyta krejt aspekti i gjenerimit të të hyrave vetanake duhet të ketë një ri-trajtim dhe e treta buxheti i Kosovës në krahasim më vitin 2007 është rritur gati për 100% dhe si i tillë ky buxhet duhet të reflektoj po ashtu edhe në shpërndarjen e barabartë për komuna”, ka thënë Tahiri.
Ai ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes me Ministrinë e Financave për hartimin e Projektligjit për Financat Lokale është bërë që të rishikohet ligji aktual pasi që sipas tij, ky i fundit është bazamenti i një qëndrueshmërie, jo vetëm politike, por edhe i shërbimeve që i japin komunat.
“Ajo që e dimë është se ne, kur kemi bërë ligjin për financa lokale, ligji është bazuar kryesisht në udhëzimet që i ka dhënë Ahtisari, proces ky që ka qenë politik dhe shumë pak teknokratik. Dhjetë vjet pas këtij procesi është tepër me rëndësi që të rishikohet ligji i financave pasi që ky ligj është bazamenti i një qëndrueshmërie jo vetëm politike, mirëpo i një qëndrueshmërie të shërbimeve që i japin komunat”, ka pohuar ai.
INTERVISTA E PLOTË
EO: Zotëri Tahiri e pamë që nënshkruat një marrëveshje me Ministrinë e Financave për projektligjin për financat lokale, a mund të na tregoni më shumë rreth kësaj marrëveshje, çka përfshin konkretisht ky projektligj?
Tahiri: Ne së bashku me programin DEMOS, që është programi më i madh i qeverisë zvicerane për të përkrahur komunat, kemi diskutuar tash e disa vjet aspektin e financimit të përgjegjësive që janë në komuna dhe në këtë proces ne kemi bërë disa studime, ku kemi parë se financimi i qëndrueshëm dhe financimi i rregullt i kompetencave që i kanë komunat është shumë i rëndësishëm. Së dyti ajo që dua të them dhe që lidhet drejtpërdrejtë me financimin e komunave është se komunat në letër kanë shumë përgjegjësi, duket se kryetarët janë shumë të fuqishëm mirëpo në mungesë të një financimi të qëndrueshëm të financave të rregullta për shërbimet që ofron komuna shpesh herë shërbimet nuk arrijnë deri te qytetarët. Mbi këtë bazë ne i kemi bërë disa studime dhe pas një kohe kemi pas kontakt nga Ministria e Financave e cila ka shprehur vullnetin që Instituti të jetë një lloj lehtësuesi i këtij procesi me njohuritë që i ka në këtë fushë por në të njëjtën kohë në partneritet me programin DEMOS zviceran të këtij shekulli mirëpo edhe të viteve që po vijnë. Ajo që e dimë është se ne kur kemi bërë ligjin për financa lokale, ligji është bazuar kryesisht në udhëzimet që i ka dhënë Ahtisari proces ky që ka qenë politik dhe shumë pak teknokratik. Dhjetë vjet pas këtij procesi është tepër me rëndësi që të rishikohet ligji i financave pasi që ky ligj është bazamenti i një qëndrueshmërie jo vetëm politike, mirëpo i një qëndrueshmërie të shërbimeve që i japin komunat .
EO: Cilat do të jenë ato përparësitë që do t’i kenë komunat me hartimin e këtij projektligji?
Tahiri: Ne jemi në fazën e parë , do të thotë jemi në fazën e analizave. Ajo që fillimisht duhet të shikojmë është të shohim se çka do të bëjmë me grandet që janë grande të drejtpërdrejta , grande për arsim, grande për shëndetësi, duhet të analizojmë se grandi për mirëqenie sociale tash shërbimet të cilat i ofrojnë komunat duhet të jetë grand i veçantë , duhet të bëjmë një analizë të autonomisë fiskale të komunave në raport me të hyrat vetanake, duhet të diskutojmë në detaje diskredicionin e ministrive të linjës për investime në komuna a duhet të ketë një kriter apo duhet të shkon si ka shkuar deri tash. Duhet të shohim dhe do të analizojmë aspektin e TVSh-së, ka vende që një pjesë të vogël të TVSh-së e ndalin për komuna duhet të diskutojmë mbi kapacitetin e komunave për të vjel të hyra vetanake. Në analizën që e kemi bërë ne si institut shohim se komunat mund ta zgjerojnë bazën e tyre të gjenerimit të të hyrave vetanake dhe mbi të gjitha duhet të sigurohemi që secila kompetencë që i takon komunës të ketë financim të qëndrueshëm përndryshe këto kompetenca do të mbesin vetëm në letër.
EO: Ku janë defektet në ligj i cili është bërë më herët pasi që tash po bëhet ndryshim, ku janë ato defektet që ju i keni vërejtur?
Tahiri: Janë një numër problemesh, një numër i çështjeve që duhet të trajtohen në ligj dhe që janë problem. Fillimisht autonomia fiskale është e doptë, e dyta krejt aspekti i gjenerimit të të hyrave vetanake duhet të ketë një ritrajtim dhe e treta buxheti i Kosovës në krahasim më vitin 2007 është rritur gati për 100% dhe si i tillë ky buxhet duhet të reflektoj po ashtu edhe në shpërndarjen e barabartë për komuna. Ka komuna të cilat nuk mund të krijojnë të hyra vetanake të mjaftueshme dhe për rrjedhojë të bëjnë detyrat e veta dhe në këtë kuptim ne nuk guxojmë ti lëmë me të hyra të bazuara vetëm në të hyra vetanake për shkak se kjo shkakton probleme serioze. Në anën tjetër duhet të diskutojmë edhe ligjin për Prishtinën nëse ne jemi të obliguar me bë një ligj për Prishtinën ky ligj grandi që shkon për ligjin e Prishtinës të jetë i veçantë dhe pastaj të lirohet një pjesë e buxhetit për komunat tjera në tërë Kosovën .
EO: Kur jemi te buxheti e përmendet që nëse krahasohet me vitet paraprake ka pasur rritje, mirëpo a vazhdojnë komunat të kenë probleme sa i përket çështjes së buxhetit ?
Tahiri: Kanë shumë probleme, kanë probleme të ndryshme, p.sh po e marrim grandin për arsim. Kriteri për të punësuarit në arsim primar është i tillë që nuk reflekton bash në konspektin e komunave. Ka komunë që një numër të madh të të hyrave vetanake i shpenzon për me e mbulu shërbimin në arsim merre Kamenicën, merre Gjilanin, gati se të gjitha komunat shpenzojnë të hyra mjete për të hyra vetanake për të siguruar që shërbimi për arsim të jepet përderisa shërbimi për arsim garantohet me grandin për arsim. Tutje aspekti i të hyrave vetanake, aspekti i prokurimit, aspekti i kontraktimit , aspekte të ndryshme që lidhen me financimin qëndrueshëm janë problematik në komunat e Kosovës .
EO: Me projektligjin e ri a do të shqyrtohen mundësitë që të largohen këto probleme që i ceket?
Tahiri: Fillimisht ajo që do të bëjmë ne si institut ne do t’i mbledhim të gjithë akterët, në radhë të parë akterët institucional flasim për disa ministri të linjës Ministrinë e Financave, Ministrinë e Pushtetit Lokal, Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik sepse kanë rol me Ndërmarrjet Publike, Asociacionin e Komunave të Kosovës që janë instrument shumë i rëndësishëm, pastaj Zyrën e Auditorit Gjeneral në mënyrë që të diskutojmë dhe të dëgjojmë edhe këndvështrimin e tyre sa i përket financimit të komunave, nuk ka mundësi një shtet me pas sukses në menaxhim publik nëse komunat nuk kanë rezultate dhe nëse komunat nuk kanë financim të qëndrueshëm. Këto për neve janë brenga të mëdha. Ne e kemi bërë një analizë në rajon, tani Shqipëria është duke rishikuar po ashtu me ndihmën zvicerane ligjin për financa lokale, Maqedonia i ka bërë disa reforma dhe ne mendojmë se përmes këtij ligji që është po ashtu ligj themelor. Ligji për Pushtetin Lokal është ligj që ka ardhur me Pakon e Ahtisarit, ky ligj është ligji i parë i Pakos së Ahtisarit që është duke u diskutuar duhet të jemi të kujdesshëm që çka do që projektojmë për dy qëllime: 1. Që në komunë të kemi shërbime më cilësore dhe më efikase dhe 2. Që komunat të hyrat që i kanë për këto detyra të kenë financim të qëndrueshëm. Nëse nuk arrijmë këtë me bë nuk do të kemi zhvillim për shkak së zhvillimi ekonomik lokal nuk bazohet vetëm në deklarata politike dhe në nënshkrimin e iniciativave por varet po ashtu në kapacitetin financiar për të investuar dhe mbi të gjitha në kapacitetin financiar për të lehtësuar edhe investime të huaja.