Në vazhdën e përgatitjeve të takimit të tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, i cili do të mbahet me datë 20-21 prill në Prishtinë, Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim, mbajti sot mbledhjen e radhës në të cilën raportoi ministrja për dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri.
Me këtë rast, ministrja Tahiri njoftoi për ecurinë e dialogut të deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili me ndërmjetësimin e BE-së është duke u zhvilluar në Bruksel.
Ajo vlerësoi se Kosova, me dialogun e zhvilluar në Bruksel, ka ndërtuar imazhin e një shteti të pavarur dhe sovran, të respektuar edhe në arenën ndërkombëtare.
Ndër të arritura më të mëdha që burojnë nga procesi i dialogut, ministrja Tahiri spikati Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Duke folur për dialogun dhe jetësimin e MSA-së në tërësi, anëtarët e komisionit, si dhe ministrja Tahiri, vlerësuan se është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional dhe përmbushja e detyrimeve nga të gjitha palët.