Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm në komunikacion dhe të respektojnë rregullat e trafikut, duke njoftuar se me Kodin e ri penal që është miratuar së fundmi, janë ashpërsuar masat ndaj papërgjegjshmërisë së shoferëve, veçmas atyre që vozisin nën ndikimin e alkoolit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ministri Tahiri ka shprehur shqetësimin për faktin se vitin 2018 ka pasur humbje të konsiderueshme të jetëve në komunikacion, për çfarë edhe janë ndërrmarrë masa edukuese, parandaluese dhe sanksionuese.
“Viti që po lëmë pas ishte vit i shumë humbjeve të jetës në komunikacion dhe kjo kërkon angazhimin tonë për të edukuar, parandaluar dhe sanksionuar rrethanat që mund të nxisin fatkeqësi komunikacioni”.
Ai më tej ka thënë se “Kosova nuk ka njerëz për të humbur, aq më pak në komunikacion, si shkak i pakujdesisë që nxitet nga ngasja në gjëndje të dehur”.
Sipas Tahirit, ndryshimet që janë bërë në Kodin e ri penal, në mes tjerash, kanë ridefinuar edhe kualifikimin si vepër penale të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, duke bërë kështu një dallim në mes të kundërvajtjes dhe veprës penale.
Tahiri ka paralajmëruar qytetarët se me Kodin e ri penal, çdo tejkalim i normave të parapara dhe vozitjes në gjëndje të dehur do t’i dergojë ata në burg.
“Pra, me Kodin e Ri Penal, tejkalimi i normave të parapara dhe vozitja në gjëndje të dehur do t’iu dërgojë në burg. Ka qenë e nevojshme që të marrim përsipër përgjegjësinë shtetërore në parandalimin e veprave të tilla dhe edukimin e qytetarëve, sikurse edhe dhënien e përgjigjes së duhur ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.
Tahiri shpreson se me këto masa, do të rritet vetëdijesimi por edhe përgjegjshmëria e ngasësve për të respektuar rregullat e qakullimit rrugor në mënyrë që qytetarët që udhëtojnë në komunikacionin rrugor të ndjehën të sigurtë. “Shpresoj se këto masa do ndikojnë për të stimuluar një përgjegjësi më të madhe të të gjithë ngasësve dhe për të mundësuar udhëtime të sigurta për qytetarët tanë”, ka përfunduar ministri Tahiri në postimin e tij.