Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot, ka marrë pjesë në Forumin për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme në mes të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillohet në kuadër të kryesimit finlandez me Këshillin e BE-së.
Gjatë këtij forumi i cili po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ministri Tahiri ka thënë se në komponentin institucional të drejtësisë, Republika e Kosovës gjatë dy viteve të fundit ka bërë një legjislacion të ri dhe domethënës, që synon ta bëjë drejtësinë të qasshme dhe të drejtë për qytetarët e Kosovës, si dhe efikase e të zbatueshme për institucionet e drejtësisë.
Duke folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, ministri Tahiri përmendi të arriturat në sektorin e sundimit te ligjit siç janë miratimi i Kodit të ri Penal, Pakon e ligjeve të gjyqësorit, Ligjin e ri për konfiskimin e aseteve të paligjshme dhe pakon e ligjeve për të drejtat pronësore.
Tahiri ka folur edhe për rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, rritjen e buxhetit për sektorin e Drejtësisë, themelimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, agjendën “Drejtësia 2020”, të arritura këto që i japin dimension shumë më të fuqishëm sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Para homologëve të tij të shteteve të rajonit dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, ministri Tahiri tha se Ministria e Drejtësisë ka filluar dhe është në proces të përfundimit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, që sipas tij është reforma kyçe që do të arrijë një Strategji Kombëtare për Sektorin e Sundimit të Ligjit.
Përveç të arriturave në drejtësinë penale, ministri Tahiri ka theksuar se Kosova ka pasur përparim edhe në të drejtat civile duke theksuar krijimin e pakos së ligjeve për të drejtat pronësore.
Ministri Tahiri tha se të gjitha këto reforma janë pjesë e përmbushjes së obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja.
Ministri Tahiri falënderoi BE-në dhe partnerët zhvillimor për mbështetjen e tyre në reformën gjyqësore në Kosovë ndërsa tha se diskutimet e vazhdueshme që ndahen brenda këtij formati, formojnë vlera që po ndodhin përtej ngjarjeve diplomatike dhe zyrtare dhe të cilat po bëhen aspirata të përditshme të politikes publike në Republikën e Kosovës.