Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka thënë se AAK do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat për ta ndalur vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të çmimit të rrymës, raporton Ekonomia Online.
Tahiri theksoi se po të jetë nevoja kjo çështje do të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne si deputetë paguhemi që në seanca ta përmbysim, një vendim tepër të dëmshëm të ZRrE-së e cila ka qenë çdo herë e sinkronizuar me qeverinë në raport më këto tarifa.Ne duhet të mundohemi nga Kuvendi për shkak se ZRrE-ja është organ i ZRrE-së për ta revokuar këtë vendim. Ne do të përdorim të gjitha mekanizmat e pse jo edhe Kushtetuesen për ta ndaluar këtë vendim”.
Ai ka paralajmëruar edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nga partitë opozitare.
“Ne kemi diskutuar me grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së. Jemi duke i mbledhur nënshkrimet. Ne i kemi nënshkrimet tona të mbledhura. Jemi duke e bërë edhe kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme. Ne mendojmë që gara duhet të ndodh në Kuvend në seancë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka folur edhe për kalimin e rezolutës për Ligjin e Pagave, e propozuar nga kjo parti. Ai ka thënë se kërkesë e tyre është që ky Ligj të vijë sa më shpejt për miratim.
“Sa i përket ligjit të pagave AAK është e kënaqur. Ky ligj është miratuar nën udhëheqjen e kryeministrit Haradinaj. Në atë kohë koeficienti ka qenë 2.39. Sot ka rritje enorme të çmimeve. Jemi duke folur për 82 mijë zyrtarë publik. Kërkesa për qeverinë është që ligji të vijë sa më shpejt në Kuvend. Ne kemi diskutuar me grupe parlamentare. Jemi duke mbledhur nënshkrimet për seancë. Ne mendojmë se gara duhet të ndodhë në seancë me ndalë një vendim të dëmshëm të ZRE”, ka thënë Tahiri.
E deputeti i AAK, Bekë Berisha, foli për sigurinë publike. Ai tha se shqetësuese mbetet ngritja e rasteve të dhunës në familje.
“Sa i përket sigurisë publike jemi të shqetësuar. Më së shumti ka shënuar ngritje dhuna në familje, aksidentet në komunikacion. Ftoj qeverinë të ketë fokus më serioz në këtë temë”, ka thënë Berisha.