Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka interes për partneritet me ShBA.
Duke folur rreth veprimeve të Qeverisë ndaj projektit të gazit amerikan, Tahiri tha se zhvillimi ekonomik por edhe stabiliteti i përgjithshëm i vendit varet nga qasjet në burimet energjetike që ka, dhe strategjisë energjetike afatgjate që mundëson në mënyrë të diversifikuar të plotësohen nevojat për energji si për ekonominë dhe amvisëritë e vendit.
Tahiri kritikoi qeverinë që me veprimet e saj, po rrezikon stabilitetim me furnizim të energjisë elektrike.
Sipas tij, kriza energjetike e cila po troket edhe në derën tonë, si kurrë më parë po dëshmon nevojën urgjente për një strategji energjetike që të adresoj gjendjen në të cilën jemi dhe hapat që duhet të ndërmirren sa më parë për një të ardhme të sigurtë energjetike.
“Kosova me prodhimin e energjisë në dy termocentralet e saj, Kosova A e ndërtuar në vitet e 70-ta dhe Kosova B, e ndërtuar në fillim të viteve të 80-ta, nuk i plotëson nevojat e veta energjetike, sidomos gjatë stinës së dimrit. Stabiliteti energjetik është kryesisht i varur nga puna e Termocentraleve duke pas parasysh se burimet alternative mungojnë, e zhvillimi i kapaciteteve në energjinë e ripërtritshme janë në fazën fillestare të zhvillimit. Jemi të varur nga importi i energjisë elektrike e që në situatë krize si kjo kur kërkesa për energji në tregun ndërkombëtar është rritur, shkakton mungesë dhe ngritje të madhe të çmimit të energjisë elektrike në treg”, shtoi Tahiri.
Tahiri potencoi se Kosova duhet ta sigurojë këtë energji për të siguruar zhvillim ekonomik, stabilitetin nacional dhe zvogloj varshmërinë nga tregu ndërkombëtar i energjisë elektrike që po bëhet gjithnjë më i paparashikueshëm.
:Kosova duhet të sigurojë qasjen në rrjetin e gazit dhe atë sa më shpejtë që është e mundur. Me shtrirjen e gazsjellësit Kosovë – Maqedoni e Veriut, ku do të mundësohej shfrytëzimi i gazit LNG amerikan, duhet përkrahur me të gjitha kapacitetet tona si projekt me interes ekonomik dhe nacional”.