Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se suksesi i decentralizimit nëpër komuna varet nga suksesi dhe puna e nivelit qendror. Sipas tij, rruga e zhvillimit të një shteti shkon përmes fuqizimit të pushtetit lokal.
Këto komente, Tahiri i ka bërë në Konferencën për Qeverisje Lokale që po mbahet në Maltë. Kjo konferencë është hapur nga kryeministri i Maltës dhe është mbyllur nga Presidentja e Maltës, po marrin pjesë kryeministra, ish-kryeministra, ministra, presidentë të asociacioneve dhe komunave si dhe studiues nga universitete nga 52 shteteve anëtare të Commonwealth-it, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të BE-së.
“Në hapje të prezantimit tim theksova se: shtetet në zhvillim duhet të kuptojnë se për të pasur një politikë shtetërore të qëndrueshme pa asnjë dyshim duhet të dëgjojmë zërin e nivelit lokal i cili duhet të jetë i përfshirë dhe akterë kyç në përcaktimin e agjendës nacionale për zhvillim ekonomik. Shumë shembuj nga mbarë bota tregojnë se aty ku abstenon pushteti lokal, shfaqet deficit demokratik dhe mungesë zhvillimi. Për këtë arsye zhvillimi i pushtetit lokal është parakusht kritik për zhvillim të qëndrueshëm. Argumentet nga vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë se në periudhat kur komunat nuk janë përfshirë në politik-bërje, për atë vend dhe shoqëri ajo ka qenë kohë e humbur dhe etapë e regresit.
Zhvillimet e viteve të fundit në vendet e rajonit: kolapsi i sistemit të decentralizuar në Bosnje dhe Hercegovinë, dështimi i Marrëveshjes së Ohrid për decentralizim efikas në Maqedoni si dhe nevoja për një reformë të thellë territoriale dhe administrative në Shqipëri na ka mësuar se reformat në shtet nuk mund të bëhen me rregulla dhe mësime të vjetra. Në fakt praktikat e mira mund të zbatohen vetëm atëherë kur ato mund të zbatohen në kontekstin e vendit dhe kanë efekt në ndryshim dhe transformim të mirë të sistemit qeverisës”, shkroi Tahiri në Facebook.
“Praktikat e suksesshme ndërkombëtare na i konfirmojnë dy elemente të rëndësishme:
– e para se decentralizimi mund të ketë sukses vetëm atëherë kur qendra është e konsoliduar dhe qeverisja në nivel qendror buron direkt nga parimet themelore të qeverisjes së mirë dhe
– e dyta se rruga e shkurtër e zhvillimit të një vendi shkon përmes fuqizimit të pushtetit lokal!
Ndërsa sa i përket Kosovës theksova se përmes sistemit aktual të pushtetit lokal është shembull i mirë se si qytetari bart vullnetin dhe delegon të drejtën për marrjen e vendimeve për dhe në emër të tij tek një kryetari i drejtpërdrejt. Dhënia e rolit të përfaqësuesit për palën kryesore në këtë rast qytetarin, nuk nënkupton vetëm administrimin e shërbimeve dhe shpenzimin e mjeteve, por njëkohësisht përfaqësimin e vlerave të komuniteteve lokale”
“Në rastin e Kosovës rregullativa dhe forma e ndërtimit institucional të nivelit lokal është ndërtuar në frymën e fuqizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, por në mes kësaj dhe veprimeve në teren shpërfaqet një hendek i madh. Ky sistem normativ ka rritur kredencialet demokratike dhe vija llogaridhënëse është e lidhur direkt tek kryetari dhe e shpërndarë në përfaqësimin për kontroll dhe mbikëqyrje tek asambleja.
Po ashtu theksova se Kosova e ka të qartë se reforma nuk është thirrje por proces i vështirë dhe i vazhdueshëm, me qëllim që t’u shërbejë qytetarëve me një standard të ri. Po ashtu atë se si vend e shoqëri kemi përqafuar modelin evropian të qeverisjes lokale dhe në themel duhet avancuar këtë frymë drejtë kësaj familje që aspirojmë. Themele, këto që përmes reformave do të shërbejnë për të ngritur shtetin në të kundërtën do kthehen në sistem të pa qëndrueshëm dhe jo-funksional”, shtoi ai.
Ai gjatë kësaj kohe ka pasur rastin të takohet me kryetarë komunash, presidentë të Asociacioneve të ndryshme dhe ekspertë të qeverisjes lokale.