Tahiri takon shoqërinë civile, bisedojnë për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 15:39 | Nga

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar sot gjatë ditës përfaqësues nga shoqëria civile, me të cilët ka biseduar lidhur me  Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë.

Ministri Tahiri, sipas një komunikate për medie nga MD-ja, ka bërë të ditur se ndryshimi i Ligjit aktual është shtruar si nevojë pas vlerësimeve se nuk është zbatuar sa duhet, ndërkaq ndryshimet do të mundësojnë zbatim shumë më efikas të konfiskimit të pasurisë, transmeton Ekonomia Online.

“Politikat e konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, kanë pasur nevojë të rishikohen, në mënyrë që shteti ynë të dëshmojë se është i gatshëm për të konfiskuar pasurinë e paligjshme si masën më reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe si sinjal se askush nuk mund ta shfrytëzojë pasurinë e përfituar me vepër penale” ka thënë ministri Tahiri.

Duke folur për ndryshimet themelore në draft-ligjin e ri, ministri ka theksuar se janë larguar dykuptimësitë me normat tjera të aplikueshme siç është Kodi i Procedurës Penale, dhe po ashtu, është zgjeruar lista e veprave penale për të cilat vlen nocioni i konfiskimit, përfshirë veprat penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale të ndërlidhura me detyrën zyrtare; të atyre kundër shëndetit publik, trafikimit me njerëz, skllavërisë dhe rrëmbimit, dhe ato që lidhen me pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit.

Ministri Tahiri ka mirëpritur komentet dhe propozimet e shoqërisë civile për këtë projektligj, të cilat do të përfshihen në procesin e mëtutjeshëm. Ministri Tahiri njoftoi pjesëtaret e shoqërisë civile se Projekt-Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe ai për mbrojtjen e sinjalizuesve do të miratohen në Qeveri në mbledhjen e ardhshme.

Të ngjashme