Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kanë vizituar Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë takuar me kryetaren e kësaj gjykate, Afërdita Bytyçi.
Pas takimit, ministri Tahiri tha se jo rastësisht janë sot në këtë gjykatë pasi, sipas tij, Themelorja ka marrë barrën më të madhe të rasteve të shënjestruara në procesin e liberalizimit të vizave.
I pyetur se si u arrit të plotësohet aq shpejt kriteri për luftimin e korrupsionit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, kur dihet që kohëve të fundit nuk ka pasur aktvendime të formës së prerë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, Tahiri tha se kanë shënuar rezultate konkrete dhe se këto nuk janë vetëm fjalë, raporton Ekonomia Online.
“Ato janë fakte, shifra që janë dërguar në Komisionin Evropian. Para dy muajve ka qëndruar në Kosovë një ekip i cili është informuar në detaje se çka ka ndodhur me rastet e shënjestruara të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm”.
“Pra, nuk po flasim fjalë të kota, kemi shënuar rezultate, kemi bërë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj edhe në aspektin legjislativ edhe me plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë, e kështu me radhë. Kjo është një e arritur konkrete e cila është vlerësuar nga Komisioni Evropian”.
Tahiri shtoi se gjyqtarët kanë krijuar standard të ri me rezultatet e arritura, derisa u shpreh i bindur se do ta rrisin efikasitetin e gjyqësorit, raporton EO.
“Ka qenë e rëndësishme përmbushja e obligimeve tona. Vlerësimi pozitiv dhe rekomandimi që të mundësojë lëvizje të lirë është rezultat i një angazhimi të madh të gjyqtarëve. Kemi ardhur t’i falënderojmë që kanë shënuar një standard të ri. Tani e tutje do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit”.
Tutje, Tahiri deklaroi se vlerësimi i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve tregon se janë në rrugë të mirë. Ai theksoi se nuk do të ndalen.
“Ju jemi shumë mirënjohës. Jam munduar që 10 muaj sa jam në këtë pozitë t’i adresoj kërkesat dhe problemet e tyre. Vlerësimi nga BE-ja për avancim në rrugën ligjore tregon që jemi në rrugë të mirë, por nuk do të ndalemi”.
Kryetarja e Gjykatës Themelore, Afërdita Bytyçi, tha se arsye është vlerësimi për efikasitetin e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Patëm një takim me gjyqtarë për krime të rënda dhe ata penal. Arsye ishte vlerësimi pozitiv lidhur me efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kryetari i KGjK-së, Nehat idrizi, tha se është një trend i zvogëlimit të lëndëve. Sipas tij, më tepër lëndë kryhen sesa që vijnë në gjykata.
Idrizi shtoi se një ndër kriteret e Komisionit Evropian ka qenë përkushtimi për të treguar rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe kjo, sipas tij, është dëshmuar. Ai tha se janë 277 lëndë të korrupsionit.
“Gjyqtarët u zotuan se kualitetin do ta shtojnë edhe më tej. Të gjitha lëndët e korrupsonit dhe të shënjestruara janë në punë. 38 raste janë në pune, 5 në procedura, 33 lëndë janë me procedura. 277 lëndë janë të natyrës së korrupsionit. Rreth 92 mijë lëndë janë përfunduar vitin e kaluar.
Kretari i Gjykatës Supreme, Lulzim Peci, tha se edhe pse rekomandimi është pozitiv u mbetet që në vazhdimësi të punojmë.
“Kur ka fillu procesi kemi qenë më të ashpër në kryerjen e punëve, por sot ishte një takim më i relaksuar. Ka shumë për të punuar, do të punojmë me tempo më të lartë për arritjen e rezultateve. Bashkërendimi ndërinstitucional është shumë i nevojshëm”.