Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili së bashku me zv.kryeministrin Behgjet Pacolli, po qëndron për një vizitë në Japoni, ka treguar se kanë pasur një ditë të ngjeshur plot me aktivitete dhe takime.
“E filluam ditën me forumin biznesor ku, para 40 bizneseve japoneze, së bashku me zv. Kryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, prezantuam mundësitë që ofron Kosova për të bërë biznes. Aty gjithashtu ishte Yoshiharu Hirano i cili prezantoi rastin e tij si investitor i parë serioz nga Japonia në Kosovë”, ka shkruar Lluka në një postim në Facebook.
“Pastaj, nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tokyo dhe Ambasadorit Leon Malazogu, u mbajt një ceremoni për nderë të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku prezent ishin shumë Ambasadorë, deputetë, zyrtarë të lartë të shtetit, biznesmen dhe ekspertë. Me sponsorizim të Turkish Airlines, dhuruam dy bileta falas për në Kosovë përmes tërheqjes së vizitkartelave pjesëmarrëse”.
“Takimet e sotit ishin me Ekzekutivin e Japanese International Cooporation Agency (JICA), Ekzekutivin e Japan Bank for International Cooperation (JBIC), Ministrin e Finsncave, Kenichiro Ueno, dhe ministrin e Lojrave Olimpike të Tokyos, Shunichi Suzuki”, ka treguar ministri i MZHE-së.
Sipas tij, takimet me JICA dhe JBIC ishin shumë frytdhënëse pasi që morrem përkrahje për të vazhduar me dorëzimin e disa projekteve në fushën e zhvillimit të sektorit privat, energjisë, energjisë së ripërtrishme, trajtimit të ujërave dhe edukimit.
“Gjithashtu u pajtuam që një delegacion i përbërë nga disa ndërmarrje japoneze të vizitoj Kosovën gjatë vitit 2018 për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit me biznese vendore”. `
Ministri Lluka ka thënë se është mirëpritur jashtëzakonisht mirë ideja që të krijojmë një park të biznesit vetëm me biznese japoneze të cilat kanë qëllim të prodhojnë për tregun e Bashkimit Evropian që ka rreth 600 milionë konsumatorë potencialë. “Një projekt i tillë do të gjeneronte mijëra vende pune në Kosovë, ndërkohë që do t’i ndihmonte bizneseve japoneze të jenë më konkurrues në tregun e BE-së”, ka theksuar kreu i MZHE-së.