Taksa doganore nuk është ikje nga dialogu

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës doganore 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia, ka të bëjë me qasjen e Kosovës në raport me Serbinë, por kjo nuk nënkupton që Kosova do ta braktisë dialogun me këtë vend, konfirmojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që Kosova i beson dialogut dhe i beson Bashkimit Evropian se ai mund të jetë vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, siç thekson ai, jo edhe me kushtin që Serbia të pretendojë që të ketë raporte normale me Kosovën vetëm kur bëhet fjalë që ta përdorë atë si koloni ekonomike.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj thotë se vendimi i Qeverisë për rritjen 100 për qind të taksës doganore për produktet e Serbisë, nuk është i orientuar kundër dialogut.

“Nuk do të ketë asnjë ndikim të drejtpërdrejtë në dialog, ka të bëjë me një fushatë, të cilën Serbia po e bën në mënyrë agresive në raport me Kosovën, duke ushtruar agresion diplomatik. Ka të bëjë me një politikë armiqësore që Serbia po e ndjek në raport me shtetin e Kosovës, në Ballkan. Për këtë, ne duhet që sikurse në çdo vend të botës, të përdorim instrumente, masa ekonomike, me qëllim që ta mbrojmë sovranitetin tonë dhe të arrijmë efekte konkrete në politikën e jashtme”, thekson Hoxhaj.

Por, njohësi i çështjeve politike , Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që në rast se masa e marrë nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara serbe, arrin ta bllokojë formën e tanishme të dialogut, i cili, sipas tij, ka qenë i pafrytshëm dhe i dëmshëm për Kosovën, fitimi i Kosovës do të jetë më i madh në rrafshin politik se sa në atë financiar që merren me taksën e shtuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme