Pavarësisht thirrjeve të pandalshme të bashkësisë ndërkombëtare që taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake të hiqet, autoritetet kosovare po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura karshi këtij procesi.
Në prag të formimit të qeverisë së re, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit – Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar se taksën do ta heqë vetëm kur të vendosë reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb, shkruan gazeta “Zëri”.
Në prag të ditëlindjes së parë të taksës së vënë ndaj produkteve serbe e boshnjake presioni i bashkësisë ndërkombëtare për ta hequr këtë taksë sa vjen e shtohet.
Mirëpo të palëkundura po qëndrojnë autoritetet kosovare, të cilat ndonëse në prag të rikonstituimit po vazhdojnë të mbeten të bindura se tarifa ndaj produkteve serbe e boshnjake, e vënë më 21 nëntor të vitit të kaluar, duhet të mbetet në fuqi, shkruan tutje “Zëri”.
Duke i shpërfillur kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për heqjen e taksës, shumica e subjekteve politike në fushatën zgjedhore ishin deklaruar se nuk do ta heqin ose nuk do ta pezullojnë atë, ndonëse Serbia po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen e barrierave, që sipas saj i ka vendosur Kosova.