Pastërtia e ujit dhe rërës, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme janë arsyet pse pushuesit po i rikthehen bregdetit të Tales në Lezhë.
Janë më shumë se 3 km vijë bregdetare e cila pastrohet çdo ditë nga punëtorët e shërbimeve. Autoritetet lokale punojnë në vijimësi për pastrimin dhe sistemimin e vijës bregdetare, si dhe për largimin e mbeturinave të sjella në breg nga deti.
Edhe pse numri i pushuesve në Tale tejkaloi pritshmëritë e administratorëve të kësaj njësie vendore, ata garantojnë realizimin e të gjitha detyrimeve për një plazh të pastër e të sigurt.
Kjo zonë turistike e frekuentuar me fluks të lartë pushuesish, vitet e fundit po bëhet një trend i ri për kategori të ndryshme pushuesish që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe turistë të huaj.
Plazhi i Tales në Lezhë është një zonë e virgjër gati-gati e panjohur për shumëkënd, por që kohët e fundit ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë. Ndërtimet janë fare të rralla, po edhe ato objekte që janë në këtë zonë janë realizuar larg bregut, pa e cenuar hapësirën e rërës.
Plazhi i Tales shtrihet në një vijë bregdetare rreth 3 kilometër me një gjerësi rëre që shkon nga 100-në 150 metër. Ai ndodhet vetëm 7 km larg rrugës nacionale Laç – Lezhë është një plazh mjaft i frekuentuar nga pushuesit kosovarë dhe ata të zonës, transmeton atsh.
Zhvillimi duket se po merr hov falë rrugës së re. Nga ana tjetër institucionet rajonale, prefektura, drejtoria e shëndetësisë, spitali, policia e rendit dhe ajo rrugore kanë hartuar planet e tyre të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik , për të garantuar shëndetin dhe jetën e pushuesve dhe turistëve në Lezhë, Shëngjin dhe Tale.
Distanca e shkurtër me kryeqytetin dhe infrastruktura rrugore e afrojnë më shumë këtë zonë turistike me pushuesit.