Ngacmoi seksualisht 13-vjeçaren, prokuroria e Lezhës kërkon 7 vjet burg për ish-policin

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

7 vjet burg ka kërkuar prokuroria e Lezhës, për ish-efektivin e policisë së shtetit Kol Kola, i arrestuar për ngacmim seksual të një 13-vjeçareje. 62- vjeçari u vu në pranga pas denoncimit nga e mitura, ndërsa vetë e ka konsideruar ngjarjen inskenim.

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 7 vjet burg, të ish-efektivit të policisë, i arrestuar në maj të këtij viti për ngacmim seksual të të miturës.

Prokurori Françesk Ganaj, kërkoi maksimimun e dënimit për akuzat “Ngacmim seksual” dhe “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare”.

Por ish-polici përfiton ulje 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Sipas dosjes hetimore, ai duke keqpërdorur atributet e detyrës, mashtroi të miturën, duke i thënë se do ta shoqëronte në komisariat, por e dërgoi në një banesë në Lezhë.

Qëllimi i ish-policit sipas organit të akuzës ishte kryerja e veprimeve të turpshme me të miturën, e cila denoncoi ngjarjen.

Vetë i pandehuri i ka mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar ngjarjen si inskenim.

Por prokuroria e Lezhës thotë se ka faktuar me prova shkencore dhe filmike akuzat ndaj 62-vjeçarit, Oranews .

Tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e ish-policit Kol Kola, i cili ka qenë pjesë e strukturave të policisë së shtetit prej shumë vitesh në disa zona të Qarkut të Lezhës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme