Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, zhvilloi një takim me gra dhe vajza të Prishtinës, në kuadër të fushatës elektorale.
Me këtë rast u prezantuan kandidatet e këtij subjekti për Kuvendin Komunal, si dhe u diskutuan çështje që ndërlidhen me qeverisjen dhe barazinë gjinore.
Ahmeti i porositi gratë që të kërkojnë më shumë të drejtat e tyre pronësore dhe në trashëgimi.
“Gratë gjithmonë hezitojnë të marrin pozita vendimmarrëse më shumë sesa burrat, por në mandatin 4-vjeçar gratë janë kogja ma të zonjat se burrat”, u shpreh kryetari aktual i Prishtinës.
“Por mënyra e trajtimit të tyre në shoqëri është më ndryshe, për shkak të diskriminimit shumëvjeçar”, shtoi ai.
“Ne si Vetëvendosje kemi përgjegjësi më të madhe; jemi subjekti i vetëm që synon barazinë, të tjerët janë konservatorë”, deklaroi Ahmeti.
Ai përmendi si kontribut të qeverisjes së tij komunale bërjen e kryeqytetit me 24 orë ujë në ditë.
Ahmeti tregoi se në shoqëri ende është i fortë stereotipi se larja e enëve dhe punët e shtëpisë janë vetëm për gra.
“Kur është ndreq uji 24 orë, njerëzit kanë thanë që tash gratë kanë ujë me i la enët edhe me u kujdes për fëmijët, ku edhe kjo është brenda shabllonit”, u shpreh ai.
Në vazhdim, pretendenti për ta drejtuar Prishtinën edhe për 4 vjet, foli për problemet që ka në regjistrimin e pronës së përbashkët edhe në emër të grave.
“Nga përvoja në Komunë të Prishtinës kemi parë që edhe më tutje ka shumë diskriminim në çështjen e pronësisë. Burri dhe gruaja, nëse e kanë një pronë të përbashkët, duhet ta regjistrojnë si të tillë, si të përbashkët. Me keqardhje më duhet të them që brenda një viti, në tërë Prishtinën, kanë qenë vetëm rreth 60 aplikime për ta regjistruar pronën si të përbashkët. Edhe tek çështja e trashëgimisë, vazhdon që prona t’iu ndahet vetëm djemve. Pa fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, vështirë që mund të dalim nga ky cikël”, theksoi Ahmeti.
Në fund, ai i porositi gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit. “15 minuta kohë për një mamografi mund të shpëtojë 15 vjet jetë”.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, foli për punë të kryera, sipas saj, nga Komuna e Prishtinës në mandatin katërvjeçar.
“Ua kemi hequr disa obligime të nënave”, tha ajo, duke përmendur ndërtimin e çerdheve të reja, shujtat e fëmijëve nëpër shkolla, kontrollet mjekësore në shkolla etj.
Ajo ka bërë thirrje për solidariteti gjinor. “E dimë që në shoqërinë tonë bëhet problematik angazhimi i grave, posaçërisht në mosha të caktuara, për shkak të barrës që iu mbetet atyre për kujdesin ndaj shtëpisë dhe të tjerëve në familje. Nuk mund të ketë barazi në finale, kur nuk ka barazi paraprakisht. Gratë dhe vajzat që punojnë, e kanë orarin e njëjtë të punës me burrat dhe djemtë, mirëpo kur kthehen në shtëpi e kanë edhe një orar shtesë me punët e shtëpisë. Kjo pabarazi në fillim, ua pamundëson atyre që të jenë të barabartë me burrat në rezultatin përfundimtar”, theksoi Dërguti.
Në emër të kandidateve të VV-së për Kuvend Komunal të Prishtinës, foli Visare Gorani-Gashi. Ajo tha se shumica e votuesve të tyre janë gra dhe vajza, gjë që tregon se VV nuk është thjesht lëvizje politike, por është edhe lëvizje emancipuese. “Të gjithë ne kemi nevojë dhe dëshirë të përmirësojmë cilësinë e jetës dhe të jetojmë me dinjitet në qytetin tonë. Prishtina është kryeqyteti politik, administrativ, universitar, ekonomik e kulturor i Republikës tonë. Në 13 vite të pasluftës, ne pamë e çka nuk pamë; matrapazllëqe nga më të ndytat, dhe pritëm që zhvatësit do të ngopeshin një ditë. Por ndodhi e kundërta. U ngopëm ne me sjelljet e tyre, dhe çliruam veten për të bërë ndryshimin”, tha Gorani-Gashi.
Në tubim u bë thirrje që të votohen sa më shumë gratë dhe vajzat e Vetëvendosjes, të cilat janë të profesioneve të ndryshme, sepse “kontributi i tyre është i domosdoshëm në realizimin sa më të lehtë të 100 zotimeve tona për mandatin e radhës”.