Në një intervistë me BIRN, eurodeputetja Tanja Fajon u kërkoi politikanëve të Kosovës që të ndërmarrin veprime vendimtare nëse duan që qytetarët e tyre të gëzojnë udhëtimin pa viza në zonën Shengen.
Tanja Fajon, raportuese për Kosovën në Parlamentit Europian për procesin e liberalizimit të vizave, tha se koha kur qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen varet nga faktorë të ndryshëm.
Ajo tha se Kosova e cila duhet ta përfundojë marrëveshjen e diskutueshme të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ta luftojë korrupsionin – të gjitha në një kohë kur atmosfera në anën europiane është shumë më pak inkurajuese sesa dikur kur ishte fjala për hapjen e kufijve.
“Ne kemi shumë probleme që vijnë si pasojë e krizave të ndryshme, si kriza e fundit e emigracionit dhe disa kontrolle të kufijve të brendshëm që janë futur, duke kufizuar lirinë e lëvizjes në Europë”, vuri në dukje ajo.
“Në rrethana të tilla, është sigurisht më e vështirë për të marrë vende të reja brenda regjimit pa viza”, tha Fajon.
Megjithatë, ajo tha se të gjithë presin që politikanët e Kosovës të fillojnë të punojnë në kriteret më të rëndësishme të përcaktuara nga BE-ja si kushte për të ecur përpara.
“Nëse Kosova sjell një nga çështjet që janë në tavolinë, ne mund të shkojmë hap pas hapi. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë së shpejti, por është koha për të ecur. Nuk shoh ndonjë rrugë tjetër në këtë situatë komplekse”, tha ajo.
Eurodeputetja sllovene gjithashtu tha se mund të gjenden zgjidhje alternative për çështjen e nxehtë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, edhe pse politikanët e Kosovës do të duhej të këshilloheshin për të gjetur një qëndrim të përbashkët përpara se të vendosnin për këtë.
“Unë nuk jam një eksperte në çështjet e kufirit, por nëse nuk është e mundur të bëhet kjo marrëveshje për demarkacionin e kufirit, atëherë është e nevojshme të gjendet një alternativë – por konsensusi duhet të vijë nga Kosova, nga të gjithë”, tha ajo.
Fajon gjithashtu tha se në Europë ka pasur një “ndjenjë se ky [kufiri i ndarjes] është gjithashtu pjesë e lojës politike në Kosovë.
“Dua të dërgoj një mesazh: ju lutemi të punoni për qytetarët në Kosovë, sepse kjo është diçka që ne të gjithë duam dhe ata presin që ne të punojmë për këtë”, tha ajo.
Fajon tha se po shpreson që, brenda dy viteve të ardhshme, derisa ajo të ketë rolin e raportueses për liberalizimin e vizave, lëvizja e lirë mund të bëhet e mundur.
Por ajo përshkroi deklaratat e ndryshme nga politikanët e Kosovës, duke vendosur datat për heqjen e kufizimeve të vizave, si të papërgjegjshme.
“Premtimi i datës më duket… shumë i papërgjegjshëm … dhe do t’u thosha politikanëve të Kosovës që të përmbahen nga premtime të tilla, sepse kur bëjmë premtime si politikanë, njerëzit presin që ne t’i mbajmë ato dhe ata do të na gjykojnë për atë” tha ajo.
Gjatë fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë, kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, tha se nëse koalicioni i tyre fiton zgjedhjet, liberalizimi i vizave mund të zgjidhet brenda tre muajve.