Tatimet nuk paguhen edhe nga perceptimi se ka keqmenaxhim

Prishtinë | 30 Qer 2016 | 12:47 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Perceptimi që kanë tatimpaguesit për keqmenaxhimin e fondeve publike, ndikon shpesh që ata të mos i përmbushin detyrimet tatimore.

Kështu, është thënë gjatë një konference të organizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me GIZ-in në të cilën u prezantuan të gjeturat e anketës “Perceptimet e tatimpaguesve lidhur me Administratën Tatimore të Kosovës”.

Rezultatet nga ky studim tregojnë se niveli i vetëdijes dhe informatave mbi mandatin e ATK-së dhe të drejtat e tatimpaguesve është mesatarisht i ulët.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri ka thënë se sistemi jonë tatimor bazohet në tatimet e vetë-vlerësimit dhe përmbushjes vullnetare.

Përmbushja vullnetare mbështetet në rregullimin që tatimpaguesit vetë të përcaktojnë obligimet e tyre tatimore dhe vullnetarisht t’i dorëzojnë deklaratat dhe pagesat, theksoi ai.

“Ne kemi krijuar kushte brenda ATK-së për të bërë përmbushjen më të lehtë dhe po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të sillemi në atë mënyrë që të fitojmë besimin e publikut për të administruar sistemin tonë tatimor në mënyrë të drejtë dhe transparente”, u shpreh Imeri.

Më tej, ai theksoi se në mënyra më efektive për të përfituar dhe mbajtur përmbushjen vullnetare është përmes ndërtimit të raporteve të besimit dhe respektit ndërsjellës në mes ATK-së dhe tatimpaguesve.

“Kjo anketë ka për qëllim që ne ti t’i identifikojmë të metat tona, aty ku tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet tona si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta”, njoftoi Imeri.

Kurse, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, tha se për të pasur politika fiskale të suksesshme, nevojitet ndërtimi i sistemit të thjeshtë tatimor dhe një sistem i besueshëm.

“Qëllimi jonë është që të ndërmarrim reforma që kanë të bëjnë me respektimin e legjislacionit, që ky legjislacion tatimor të jetë më i lehtë për tatimpaguesit dhe më e lirë për ATK-në” u shpreh ai.

Kurse, Alexandra Fehlinger, udhëheqëse e Projektit për Reformën e Financave Publike, Zyra GIZ-it në Kosovë, theksoi se zëri i tatimpaguesve duhet të dëgjohet dhe të merret parasysh.

Tatimpaguesit e Kosovës kanë zë kritik theksoi ajo.

“Mendoj që kjo është mënyra e duhur kur adresohen çështjet e ndryshme dhe pastaj Administrata Tatimore e Kosovës ka marr disa hapa që ti adresojë këto çështje. Jam shumë e lumtur që ky përkushtimi ATK-së ndaj tatimpaguesve po vazhdon”, deklaroi ajo.

Burimi kryesor i të dhënave është bazuar në grumbullimin e të dhënave të një natyre sasiore me një mostër 1252 individësh dhe biznesesh.

Ky raport është përgatitur nga UBO Consulting dhe vlerësohet si një ndër rezultatet kryesore të kontributit të projektit “Reformimi i Sistemeve të Financave Publike në Kosovë”.

Të ngjashme