Të akuzuarit në rastin e vrasjes e dyfishtë në restorantin “Shega” lirohen nga akuza

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Besim dhe Besart Istrefi, janë liruar nga akuza për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2014 në restorantin “Shega” ku kishin mbetur të vdekur Lutfi Saraqi dhe Nazim Gërvalla.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Vesel Ismajli dhe anëtarët Nushe Kuka- Mekaj dhe Naser Foniqi, njëzëri ka vendosur që Besim dhe Besart Istrefi të lirohen nga akuza, pasi që sipas vlerësimit të gjykatës këtë vepër e kanë kryer në mbrojtje të nevojshme.

Nga akuza është liruar edhe i akuzuari për vrasje në tentativë, Jeton Saraqi, pasi që sipas gjykatës nuk është provuar se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Ndërkaq është marr aktgjykim refuzues për sa i përket veprës penale të falsifikimit pasi që për këtë vepër ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes, është shpallur fajtorë i akuzuari Besart Istrefi, ndaj tij gjykata ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 5 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kalimit nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak. Ndërsa në emër të paushallit gjyqësor Istrefi është i obliguar të paguaj 200 euro.

Pjesa tjetër e shpenzimeve sa i përket veprave penale për të cilat të akuzuarit janë liruar do të bien në barrë të gjykatës.

Ndërsa palët e dëmtuara u udhëzuan në kontest juridiko- civil.

Kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së këtij aktgjykimi, njoftoi se armët e përdorura gjatë vrasjes janë asgjësuar me urdhëresën e Prokurorit të Shtetit para ngritjes së aktakuzës.

Aktgjykimin në formë të shkruar sipas gjykatësit Ismajli palët do ta pranojnë brenda afatit ligjor.

Besim dhe Besart Istrefit akuzohen se në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta Lutfi Saraçin dhe Nazim Gërvallën, ndërsa për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve, akuzohet edhe Jeton Saraqi.

Në tetor të vitit 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje e armëmbajtje pa leje, ndërsa kishte liruar nga akuzat Jeton Saraçin, për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Mirëpo pas ankesave, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 11 prill 2019.Afro pesë muaj pas kthimit në rigjykim, kishte nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve.

Që nga kthimi në rigjykim në këtë rast ishte ndryshuar dy herë përbërja e trupit gjykues, së fundmi ky rast gjykohej nga gjykatësi Vesel Ismajli dhe dy gjykatëset Nushe Kuka – Mekaj dhe Naime Krasniqi – Jashanica, por me vendim të Kryetares së kësaj gjykate, në vend të gjykatëses Krasniqi- Jashanica ishte caktuar gjykatësi Naser Foniqi.

Më 17 shtator 2019, palët kishin dhënë fjalën e tyre hyrëse, ndërsa gjatë muajve tetor nëntor dhe dhjetor kishte vazhduar procedura gjyqësore ndaj tre të akuzuarve me dëgjimin  e ekspertëve të balistikës Ilir Kukaj, Qëndrim Topalli dhe Lutfi Raci si dhe ekspertit të mjekësisë ligjore, Flamur Blakaj.

Ndërkaq nga muaji janar 2019, gjykata vazhdimisht është përpjekur që përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtarë të siguroj prezencën e dy dëshmitarëve nga Shqipëria të cilët ishin dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve në prokurori në vitin 2014, por prezenca e tyre nuk ka arritur të sigurohet.

Gjatë vitit 2020 ishin caktuar pesë seanca, ku një prej tyre ishte anuluar, dy ishin shtyrë për arsye të ndryshme ndërsa dy të tjera ishin mbajtur.

Gjatë vitit 2021 janë mbajtur dy seanca, në seancën e mbajtur më 25 janar 2021, të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje ndërsa në atë të 4 marsit ishte dhënë fjala përfundimtare.

Gjatë këtij viti kishin dështuar vazhdimisht seancat për arsye të ndryshme, ndonëse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli i cili ishte avancuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë vazhdimisht kishte caktuar seancat për këtë rast.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Besim Istrefi ishte dënuar me shtatë vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ushtruar ankesë me pretendimin se gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe mbi lartësisë së dënimit. Lidhur me lartësinë e dënimit, ankesë kishte ushtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, të ndjerit Nazim Gërvalla.Ndërsa, lirimin nga akuza e të akuzuarit Besart Istrefi e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe sa i përket lartësisë së dënimit. Për të njëjtat shkaqe, kishte kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij Besim Istrefi edhe avokati Ali Beka.Lidhur me pretendimet e palëve, Gjykata e Apelit, më 11 prill 2019, kishte marr aktvendim me të cilin çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Gjykata kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për çka kishte vlerësuar se ndikojnë në vërtetimin e gjendjes faktike.“Aktgjykimi i shkallës së parë është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje për faktet vendimtare, ndërsa ato që i ka dhënë janë të pamjaftueshme për të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë këtë çështje penalo-juridike”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë.Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivët e aktgjykimit janë në kundërshtim me arsyetimet, sidomos tek pjesa liruese sa i përket të akuzuarit Jeton Saraçi.

“Nëse lexohet me kujdes ky dispozitiv shihet se i akuzuari  Jeton, me provat e administruara është iniciuesi i komplet rastit, ndërsa gjykata e shkalles së parë thekson se i njëjti ka nxjerr një revole të ngjyrës së zezë të tipit të panjohur dhe e ka drejtuar atë në drejtim të të akuzuarit Besart duke e sharë dhe duke e kërcënuar, ndërsa në anën tjetër e liron nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka pasur armë”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit, ndër të tjera ka kërkuar që të bëhet administrimi i provave veç e veç, ku do  të vërtetohet  se Besim dhe Besart Istrefi, a kanë vepruar në mbrojtje të nevojshme, gjegjësisht se a ka qenë sulmi i kundërligjshëm, a është dashur të zmbrapsët nga të akuzuarit, a ka qenë sulmi real dhe i atëçastshëm si dhe proporcioni me shkallën e rrezikut që ka paraqitur sulmi.

Të ngjashme