Një gjykatë e re përballet me problemet e vjetra në mbrojtjen e dëshmitarëve për një kapitull të errët të luftës së Kosovës për liri.
Halili hap derën e metaltë dhe instinktivisht vë dorën në këllëfin e revoles austriake “Glock” të lidhur në bel për rripi.
Një kamerë vëzhgon e varur mbi derë të hyrjes së oborrit, me objektiv të kthyer nga rruga. I është bërë rit të jetë i vëmendshëm për veten.
Kanë kaluar më shumë se 17 vjet qëkur Halili (nuk është emri i tij i vërtetë) thotë se u burgos dhe u torturua nga guerilët shqiptarë të Kosovës në një burg sekret në malet e thella të Shqipërisë Veriore.
Si shqiptar i Kosovës, krimi i vetëm i Halilit ishte se i përkiste grupit rival të guerilëve për pushtetin e pasluftës.
BIRN-i nuk mund ta identifikojë Halilin me emrin e tij të vërtetë, t’ia përshkruajë dukjen apo vendndodhjen, për shkak të sigurisë së tij, përveçse të thotë se ai jeton në vendin e tij të lindjes në Kosovë, në mes të atyre të cilët do të donin ta bënin të heshtë.
Brenda pak muajve ai pret të ngrihet kundër torturuesve të tij si pjesë e një procesi shpërthyes për të hedhur dritë në pjesën më të errët të luftës së Kosovës për liri nga shtypja serbe, një luftë e cila fitoi mbështetjen vendimtare për bombardimet e NATO-s në vitin 1999.
Një gjykatë e re e krijuar së fundmi, me seli në Holandë, pritet t’i shpallë aktakuzat e para brenda disa javësh apo muajsh.
Suksesi i gjykatës varet nga Halili dhe kosovarët tjerë të gatshëm për të dëshmuar kundër ish- guerilëve politikisht të fuqishëm, heronj për shumë njerëz të afërt me ta.
Rreziqet janë të mëdha, si për stabilitetin e Kosovës dhe konsolidimin e saj si shtet i pavarur, ashtu edhe për dëshmitarët që kanë marrë guximin të flasin.
Të tjerë para tyre e kanë paguar me jetë duke qenë viktima të njëlloj frikësimi sistematik, i cili pengoi përpjekjet për t’i sjellë para drejtësisë guerilët e dyshuar për krime lufte.(BIRN).