Me ftesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partitë politike të Kosovës kanë marrë pjesë në një takim të përbashkët për të shqyrtuar gjendjen e krijuar në vend.
Në ftesën që ishte nënshkruar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thuhej se në takim do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.
Por, vetë Mustafa nuk ka marrë pjesë në takim. Ai tash sa kohë nuk ka pasur paraqitje publike, për shkak të një sëmundjeje që ka pasur.
Udhëheqës i tryezës ishte Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së. Ai tha se takimi nuk është ftuar që të diskutohet për zgjedhje të parakohshme, por për të diskutuar me subjektet politike dhe të bëhet përpjekje që të gjenden zgjidhjet për çështjet që janë me interes për Kosovën.
“Ne jemi të interesuar që çështjet madhore për Kosovën t’i diskutojmë dhe së bashku të gjejmë zgjidhje. Ne po bëjmë përpjekje që ta japim kontributin tonë, që ta arrijmë një konsensus nacional për këto tema dhe pastaj, nëse nuk arrihet, ne sigurisht që do ta diskutojmë në forumet tona dhe do të marrim qëndrim”, tha Veliu.
Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se takimi i ftuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe temat e diskutuara në takim, kanë rastisur të kenë ngjashmëri me ftesën që ka bërë ditë më parë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, për një platformë gjithpërfshirëse dhe konsensus për temat kombëtare.
Në këtë takim, partitë politike parlamentare dhe ato jashtë Kuvendit, janë pajtuar që të organizohen takime të ngjashme nga partitë e tjera politike, me rotacion. Takimi i ardhshëm pritet të organizohet “së shpejti” nga Partia Demokratike e Kosovës.