Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të përfitojë nga transferimi i Arbër Zenelit te Reimsi i Ligue 1 të Francës. Kështu ka thënë të dielën ndihmësi i parë i përzgjedhësit Bernard Challandes, Muharrem Sahiti.
Sahiti, që është gjatë në përfaqësuesen e Kosovës, e ka vlerësuar lart kalimin e Zenelit nga Heerenveeni i Holandës te Reimsi i Francës. Kampionati francez është prej top-pesë kampionateve evropiane dhe vlerësohet se ka nivel dukshëm më të lartë se kampionati holandez, ku Zeneli është shfaqur në formë të lartë prej janarit të vitit 2016, shkruan sot Koha Ditore.
Zeneli të shtunën ka firmosur me Reimsin kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2023. Ai kishte kontratë me Heeerenveenin vetëm deri në qershor të këtij viti, ndërsa klubi holandez kishte mundësinë e fundit të përfitonte financiarisht prej shitjes së tij. Është raportuar se Reimsi i ka paguar rreth katër milionë euro dëmshpërblim Heerenveenit.