Këshilli Drejtues i SBASHK-ut pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale, përcjell Ekonomia Online.
Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.
Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.
Greva në Universitete fillon në orën 8 deri në orën 10.
Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.
Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale.