Të rinjtë e Pejës kërkojnë llogari nga të zgjedhurit e tyre

Prishtinë | 06 Shk 2017 | 15:43 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot debat publik me studentë dhe të rinj nga rajoni i Pejës në ambientet e Universitetit Publik “Haxhi Zeka”, me qëllim të nxitjes së angazhimit të tyre për të kërkuar llogari nga të zgjedhurit politik.

Pjesë e diskutimit me të rinj ishte kryetari i kësaj komune, z.Gazmend Muhaxheri si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës: znj.Safete Hadërgjonaj (PDK), znj.Besa Gaxherri (LDK), znj.Shqipe Pantina (LVV) dhe znj.Teuta Haxhiu (AAK).

Deputetja Besa Gaxherri, në hapje të këtij debati theksoi se çdo shtet demokratik ka nevojë për studentë, rini të arsimuar mirë pavarësisht sistemit dhe orientimit të atij shteti e aq më tepër kur bëhet fjalë për një shtet demokratik. Kur ka cilësi në arsim ka thënë se llogaridhënia është e duhur dhe e domosdoshme. Sipas saj çdo herë është e nevojshme të kërkohet llogari nga të zgjedhurit për punën ditore që bëjnë përmes takimeve, debateve apo edhe përmes ndihmës së teknologjisë dhe se çdo herë ka nevojë për kritika konstruktive.

Kurse deputetja Teuta Haxhiu, theksoi para studentëve se llogaridhënia e të zgjedhurve karshi qytetarëve nuk është në nivel të kënaqshëm. Ajo ka vlerësuar se llogaridhënia është një element kyç që ndihmon zhvillimin e një shteti demokratik. Haxhiu ka konsideruar se llogaridhënie nuk mund të cilësohet fakti kur politikanët takohen vetëm një herë në katër vite me qytetarët, sipas saj secili përfaqësues politik duhet ta ndjej vetën të përgjegjshëm çdo ditë dhe po ashtu ka sugjeruar studentët që t’i mbajnë llogaridhënës të zgjedhurit e tyre.

Kurse kryetari Gazmend Muhaxheri, theksoi se komuna e Pejës qe dy vite është renditur si komuna e dytë me transparente dhe se transparenca e një komune fillon tek hartimi i buxhetit. Për hartimin e buxhetit të kësaj komune ka theksuar se janë zhvilluar shumë diskutime publike me qytetarë. Po ashtu ka thënë se diskutime kanë zhvilluar edhe me të rinjtë kërkesat e të cilëve i kanë përfshi në kuadër të hartimit të buxhetit.

Deputetja Safete Hadërgjonaj, ka potencuar se nuk është arritur që të zhvillohet një komunikim deri në atë mënyrë që të zgjedhurit të japin mesazhin se çfarë peshe kanë të rinjtë në proceset e qeverisjes dhe çfarë është roli i tyre në proceset politike.
Hadërgjonaj ka thënë se Kosova ka nevojë për të rinjtë, talentin, mendjen dhe imagjinatën e tyre pasi që sipas saj nuk mund të konceptohet zgjidhja e problemeve të mëdha që ka vendi pa të rinjtë. Kurse bazamenti i një shteti konsideron se është pikërisht transparenca dhe llogaridhënia.

Ndërkaq deputetja Shqipe Pantina, theksoi se secili i zgjedhur që kërkon të lidh një kontratë me qytetarin, i bënë zotimet e tij si përfaqësues i atyre që e zgjedhin, më pas ka thënë se ju takon qytetarëve për të parë nëse ai i zgjedhur është duke ju përmbajtur kontratës. Nëse ajo kontratë nuk zbatohet ka thënë se qytetari ka mundësi ta largoj nga ajo pozitë pas katër vitesh.

Gjatë këtij debati, deputetet njëherësh anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa, zotohen se do të gjejnë zgjidhje për financimin e bursave të studentëve të Universitetit “Haxhi Zeka”, të cilët ka tri vite që nuk i marrin.
Panelistët po ashtu ju përgjigjen interesimit të madh të studentëve për shumë çështje që lidhen me transparencën, politikat komunale, universitetin si dhe premtimet direkte të kryetarit të kësaj komune.

Ky debat u organizua me mbështetje të Ambasadës Britanike në Prishtinë në kuadër të projektit “Fuqizimi i votueseve të rinjve për të marrë vendime duke qenë të informuar, dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”.

takim1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme