Të rinjtë fusin kokainën në adapter të telefonit, kapen nga Policia në Fushë Kosovë

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë pas mesnate dy persona janë arrestuar te rrethi në Fushë Kosovë, pasi që te të njëjtit është gjetur drogë pas një kontrolli nga ana e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjali bëjnë të ditur se A.H., 28-vjeçar dhe A.M., 24-vjeçar ishin ndaluar nga patrulla e Policisë, me ç’rast A.H., ka hedhur nga xhepi një qese të vogël të mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Sinjali mëson se po ashtu edhe tek A.M., është gjetur drogë, pasi që i njëjti gjatë kërkimit të dokumenteve e kishte hedhur në tokë një karikues të telefonit, brenda të cilit ishin disa qese të vogla me substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë.

24-vjeçari kishte tentuar që të ikë nga Policia, ku kishte nisur të vrapojë nga rrethi në drejtim të Prishtinës, por më pas është kapur dhe është arrestuar nga Policia.

Dy të dyshuarit janë dërguar në Stacion Policor dhe me urdhër të prokurorit të dyve i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërkohë Policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit A.M., por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detaje të reja.

Të ngjashme