Fotografi të realizuara para gati shtatë dekadash në skenën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë që shpërfaqin aktorët e rolet e asaj kohe, janë bërë bashkë në ekspozitën e titulluar “Teatri, vitet ’50”. Holli i qendrës kulturore “arTurbina” në Tiranë është shndërruar në hapësirë nëpërmjet së cilës vizitorët kthehen prapa në kohë sa i përket jetës teatrore në Shqipëri.
Ekspozita e arkivit të Teatrit Kombëtar nxjerr në pah fotografi të aktorëve si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Tinka Kurti, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca dhe figurave të tjera të skenës së asaj kohe. Imazhet bardhezi zbulojnë pjesë nga mozaiku i skenës teatrore të viteve ’50, kur edhe arti ishte i varur nga ideologjia komuniste, shkruan sot Koha Ditore.
Kritiku i artit Josif Papagjoni ka thënë se në ato vite në skenë kanë qenë vepra të suksesshme të teatrit si “Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”, “Prefekti”, “Revizori”, “Intrigë dhe dashuri”.
“Ka pasur shumë drama të huaja, vepra ruse. Shumë mirë që ekspozohet se çfarë është bërë me teatrin në atë kohë. Aktorët e teatrit në ato vite vinin nga lëvizja amatore dhe nuk ishte shkollë profesioniste, ata bartën me vete dhe pjesën e amatorizmit”, ka thënë Papagjoni. Sipas raportimit të medieve shqiptare, imazhet kanë ngjallur interes për publikun. Sipas Papagjonit, regjisorët rusë që erdhën ato vite në Shqipëri, për teatrin patën ndikimin e tyre si dhe për aktorët në skenë.
“Në Shqipëri erdhën regjisorët rusë, të cilët ndikuan në kualifikimin e aktorëve, ndërkaq u çuan në Jugosllavi dhe në vendet e Lindjes në Hungari në Bashkimin Sovjetik, ku vazhduan shkollat Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Drita Agolli, Esat Oktrova, Serafin Fanko e të tjerë”, ka thënë ai. Ka treguar se në vitet ’60, kur u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me ish-Bashkimin Sovjetik, regjisorët vendorë ngritën në një nivel të ri artistik lojën e aktorit, nivelin e teatrit, ku dolën në pah edhe skenografët Agim Zajmi e Shaban Hadëri”. Sipas Papagjonit, aktorët e atyre viteve sollën role të paharruara.
Teatri Kombëtar i Shqipërisë u themelua më 25 maj 1945 me emrin “Teatri Profesionist i Shtetit”. Ky teatër erdhi nga bashkimi i dy grupeve të njohura teatrore, ai i qarkut të Gjirokastrës me regjisor Andon Panon dhe ai i qarkut të Korçës me regjisor Sokrat Mion. Teatri qendror kishte në përbërje 35 artistë. Institucioni krijoi një repertor aktiv, të trashëguar nga grupet teatrore partizane, por edhe nëpërmjet veprave të reja që viheshin në skenë. Në vitet ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60, repertorin e mbizotëroi dramaturgjia sovjetike. Në Teatrin Kombëtar u afirmuan regjisorët e parë si Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, për të mbërritur në një stad tjetër më pas me regjisorët Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame e emra të tjerë.