Samsung Galaxy Note10 do ta ketë edhe versionin 5G

Prishtinë | 14 Mar 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Samsungu kohët e fundit e ka publikuar kodin burimor të kernelit për familjen e telefonave S10, që punon falë çipsetit të kompanisë Exynos. Duke e eksploruar kodin e sipërpërmendur, anëtarët e ekipit XDA Developers kanë gjetur diçka interesante – përmendjen e versionit 5G të Galaxy Note10, raporton GSMArena.

Kjo sigurisht nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se së shpejti tashmë do të arrijë S10 5G, ndërsa tani e kemi një lloj konfirmimi që Samsungu e planifikon të njëjtën edhe për Galaxy Note10, shkruan KOHA Ditore.

Natyrisht, duhet të theksohet se ky është vetëm një supozim sepse Samsungu ende nuk ka njoftuar asgjë zyrtarisht. Disa muaj më parë u paraqit lajmi se emri i koduar për Galaxy Note10 është “davinci”. Kodi burimor i zbuluar për S10 e përmend “davinci5G” dhe në këtë bazohet supozimi se Note10 do ta ketë versionin 5G.

Kur bëhet fjalë për Galaxy Note10, tani për tani e dimë vetëm se ai do ta ketë një ekran 6.66 inçësh dhe katër kamera në anën e pasme. Më shumë informata me siguri do të jenë në dispozicion më vonë gjatë vitit, derisa i afrohemi lansimit të telefonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme