Kanceri në pankreas është ndër më vdekjeprurësit, pasi pothuajse gjithnjë zbulohet shumë vonë. Ky lloj kanceri është i vështirë të diktohet dhe simptomat shfaqen vetëm kur kanceri ka avancuar shumë.
Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, tashmë shkencëtarët kanë filluar të arrijnë progres edhe ndaj kësaj sëmundjeje që diagnostikohet me vështirësi.
Anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Bader Ginsburg është ndoshta personi më i famshëm që i ka mbijetuar kancerit të pankreasit. Madje dy herë. Kanceri i saj u zbulua herët, gjë që është e rrallë.
Kimioterapia është pjesë e kurës për kancerin e pankreasit, por vetëm 9% e të diagnostikuarve me këtë sëmundje jetojnë pas pesë vitesh. Vendndodhja e pankreasit e bën të vështirë pikasjen e kancerit.
Pankreasi ndodhet në pjesën e pasme të barkut. Mbulohet nga stomaku dhe mëlçia. Tumoret kancerogjene dhe cistet nuk shikohen dhe nuk ndjehen. Madje ka edhe më…
“Ky kancer nuk jep simptoma në fazat e para”, thotë Dr. Somashekar Krishna, i Qendrës Mjekësore “Wexner” të Universitetit të Shtetit Ohajo.
Patricia Beatty pati një dhimbje në stomak dhe gjatë një sonogrami, doktori zbuloi një cist.
“Më tha se kisha një cist në fazën parakancerogjene”, tregon zonja Beatty.
Doktorët mund të testojnë lëngjet nga brenda cistit. Por, është e vështirë të thuhet se cili cist do të bëhet kanceroz. Doktor Krishna drejtoi një studim për mënyra të reja diagnostikimi që u japin doktorëve pamje mikroskopike të cistit, një lloj biopsie virtuale që rezulton shumë e saktë.
“Mund t’i diagnostikojmë cistet me nivel saktësie 96-97%”, thotë Dr. Krishna.
Me këtë mjet të ri, doktorët mund të shpëtojnë jetë, por cistet dhe tumoret në pankreas ende diktohen rastësisht nga imazheritë që bëhen për diçka tjetër. Këto teste janë të shtrenjta dhe nuk mund të përdoren për kontrolle rutinë. Pra, kjo nuk u vjen në ndihmë shumicës së njerëzve të diagnostikuar me kancer në pankreas.
Dr. Krishna thotë se mënyra më logjike për ta diagnostikuar sa më herët kancerin e pankreasit është nëpërmjet analizave të gjakut. Shkencëtarët po punojnë për të krijuar një analizë të tillë, por nuk e kanë arritur ende.
Ndërkohë, Beatty i shpëtoi kancerit, pasi një mjet i ri diagnostikues zbuloi cistin e saj përpara se të bëhej malinj/VOA.