Temperaturat e larta, në sheshet e Prishtinës vendosen cisterna uji dhe ambulanca mjekësore

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 13:22 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Temperaturat e larta që po mbretërojnë në vendin tonë, kanë alarmuar institucionet komunale, të cilat kanë ndërmarr aksione për kapërcimin e kësaj situate, raporton EkonomiaOnline.

Për këtë qëllim Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësve, ka vendosur dy cisterna me ujë të pijshëm dhe për mundësi freskimi në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në “Zahir Pajaziti”.

Po ashtu është vendosur edhe një ambulantë mobile, me ç’rast qytetarët që ndjejnë shqetësime mund të lajmërohen te ekipi kujdestar apo edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt.

Në të njëjtën kohë, qytetarët dhe bizneset janë lutur që gjatë këtyre ditëve, uji i pijshëm të konsumohet në mënyrë sa më racionale.

Zjarrfikësi Shyqyri Bytyqi, thotë për EkonomiaOnline se për shkak të temperaturave të larta kanë ndërmarrë aksione për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të cilët mund të pësojnë nga i nxehti.

“Këtë aksion e ka ndërmarr Komuna e Prishtinës ka kërkuar prej neve me dal me kujdestarua në shesh për shkak se meteorologët kanë paraparë temperatura shumë të larta dhe me ju ofrua ndihmë qytetarëve nëse kanë nevojë për freskim ujë apo diçka tjetër. Sot është dita e parë për momentin nuk kemi pasur, na për këta jemi këtu nëse dikush ka nevojë, është paraparë me qëndrua 3 ditë por nëse temperaturat e larta vazhdojnë atëherë do të qëndrojmë edhe ne”, thotë ai.

Të mobilizuar për të tejkaluar këtë situatë janë edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.

Mjeku specialist, Sadri Dervishaj thotë për EkonomiaOnline se vetëm deri në mesditë kanë këruar këshilla mjekësore 10 persona si pasojë e të nxehtit të madh.

 “Qëllimi i këtij aksioni është që një ekip prej Qendrës së Mjekësisë Familjare të jetë në këtë hapësirë për dhënien e këshillave për pacientë për qytetarët që kanë probleme shëndetësore. Qëllimi ynë ka qenë se prej kohës prej orës deri në orën 17 pasdite çdoherë në jemi të ekspozuar prej rrezeve të diellit në temperatura të larta. Përveç që ka temperatura të larta edhe rrezatimi është më i rëndë. Ata që kanë probleme me zemër dhe fëmijët nuk preferohen qe të bëhet lëvizje në këto temperatura pasi ata edhe ashtu kanë probleme, temperaturat vetëm e keqësojnë gjendjen e tyre. Po ka pasur deri tash diku 10 qytetarë që kanë marrë këshilla”, thotë ai.

Sipas parashikimeve të motit, prej sot e ditëve në vijim pritet që temperaturat në vendin tonë të jenë të larta. Qytetarët apelohen që të shmangin ekspozimet e panevojshme në diell nga ora 09:00 deri në orën 17:00.

Kjo vlen sidomos për kategoritë e cenueshme si të moshuarit, shtatzënat dhe të personat me sëmundje kronike e sidomos me ato kardiovaskulare. Po ashtu, apelohet gjithashtu që të konsumohet sasi e mjaftueshme e ujit, ushqime të lehta dhe të qëndroni në ambiente të freskëta.

Të ngjashme