Temperaturat e larta në vend po paraqesin rrezik për shëndetin e të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike. Për këtë, specialisët e mjekësisë familjare kanë dhënë për Ekonomia Online këshillat e tyre se si këto grupe mund të mbrohen, veçanërisht kur temperaturat pritet të thyejnë rekord.
Specialistët e mjekësisë familjare, Vjollca Zeqiri dhe Rushit Ismaili, kanë këshilluar që qytetarët t’i shmangen ekspozimit direkt të diellit nga ora 10:00 deri në 16:00.
Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ekspozimi ndaj temperaturave të larta në mënyrë të vazhdueshme krijon te organizmi i njeriut një stres fiziogjik komulativ, “që ndikon në përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese si përkeqësimi i sëmundjeve kardiovaskulare, të frymëmarrje, diabetit apo veshkave”.
Ajo ka paralajmëruar se simptomat, qoftë edhe nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta për kohë të shkurtër, po i paraqesin simptomat pas disa ditëve.
“Normalisht, sa më ngrohtë që të jetë, aq më të rënda do të jenë ndikimet e nxehtësisë në organizimin njerëzve, kafshëve apo edhe të mjedisit në përgjithësi. Periudhat e zgjatura të temperaturave të larta, shkaktojnë krijimin e një stresi fiziologjik komulativ në organizmin i cili pastaj e bën përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese. Psh. pacientët që vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut, personat që vuajnë nga sëmundjet kronike obstruktive, nga diabeti apo nga personat që vuajnë nga veshkat. Tek kjo kategori vjen deri te përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese. Normalisht, ne i kemi mekanizmat termorregullativ të cilët e rregullojnë temperaturën trupore, mirëpo periudhat e zgjatura dhe temperaturat e larta, kanë tendencë me e çrregullua këtë mekanizëm termorregullativ dhe si pasojë vjen deri te paraqitja e një numri të madh të problemeve shëndetësore, duke filluar nga dehidrimi për shkak të rritjes së temperaturës trupore, organizimi mundohet ta rregullojë temperaturën trupore dhe e shton djersitjen”, u shpreh Zeqiri.
Zeqiri ka bërë të ditur se disa nga simptomat janë dehidrimi (humbja e lëngjeve te organizmi i njeriut), urinimi i rralluar e shpeshtimi i problemeve për ata me sëmundje kardiovaskulare dhe kronike.
“Si pasojë e shtimit të djersitjes vjen deri te humbja e lëngjeve, humbja e letrolitëve dhe në këtë mënyrë vjen deri te dehidrimi, e cila manifestohet me lëkurë të thatë, me mukoza të gojës, hundës dhe fytit, pastaj urinimi është i rralluar dhe me ngjyrë të mbylltë. Pastaj, personat ndjehen të etur. Përveç kësaj, vjen deri tek goditja nga nxehtësia. Në këto raste vjen deri te ngritja e temperaturës trupore deri në 40 gradë celsius, që është një gjendje alarmante. Manifestohet me të përzierja, me të vjella, nganjëherë edhe me humbje të vetëdijes, prandaj është një gjendje alarmante dhe duhet të kërkohet menjëherë ndihma mjekësore”.
“Kemi një ngritje të lehtë të numrit të pacientëve, kryesisht moshat e shtyra, personat të cilët janë me probleme kronike të cilët vuajnë nga sëmundjet shëndetësore. Ata janë më të kujdesshëm dhe vijnë në vizita më të rregullta. Kështu që e kemi një ngritje më të lehtë. Gjithashtu kemi një numër të viruseve sepse edhe gjatë stinës së verës si gjatë dimrit, shtohen infeksionet me viruse të ndryshme dhe kemi një numër më të madh të rasteve me të vjellura, sidomos foshnjat dhe fëmijët”, ka thënë Zeqiri.
E specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismaili, ka rekomanduar që prej orës 10 deri në 16, qytetarët t’i shmangin ekspozimit direkt në rrezet e diellit. Ndërkaq, ka apeluar që gjatë këtyre temperaturave të nxehta të konsumojnë sasi të mjaftueshme të lëngjeve.
Ai tregon se cilat janë dobitë e rrezeve të diellit si dhe efektet negative.
“Për nevojën që të kemi diell është fat që jemi një zonë me diell sepse ai ndikon që të përforcohet vitamina D që të rritet imuniteti edhe që të forcohen kockat, kështu që kemi shumë dobi nga prezenca e diellit mirëpo këto ditë kemi më shumë se sa kemi pasur herëve të kaluara edhe kjo ka ndikuar që pastaj njerëzit ta përjetojnë pak në mënyrë me të vështirë pasi që nëse ka temperatura shumë të larta kemi një avullim të tepërt të organizmit tonë qoftë nga avullimi vetvetiu, qoftë nga djersitja. Kjo ndikon që të bie shtypja e gjakut, edhe me të pastaj të shfaqen shenjat e humbjes së lëngjeve, mund të ketë mundim vjellje në raste ekstreme edhe humbja e vetëdijes”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, ai ka folur dhe si ndikojnë temperaturat e larta tek gratë shtatzëna, fëmijët dhe tek të moshuarit. Tutje ai tregon se në cilën orë duhet t’i shmangemi daljes në diell.
“Nëse është e mundur që nga ora 10 deri ora 16 të mos dilet në ekspozim direkt të rrezeve të diellit mirëpo për ata që duhet të dalin patjetër le të përpiqen të gjejnë hapësira ku ka hije, le të përdorin ombrella dhe nëse patjetër duhet të qëndrojnë në diell le të përdorin kremra me faktor mbrojtës kurse disa kategori që sigurisht që nuk do të dalin në këto ore të ditës. Kur flas për foshnjat 6 muajsh, për gra shtatzëna, për njerëz të moshuar, duhet një vëmendje pak me e veçantë që duhet t’u kushtohet këtyre grupmoshave”, u shpreh Ismaili.