Tentim sulmi ndaj Rrahman Jasharajt – BSPK: Akt jo i qytetëruar

Prishtinë | 06 Sht 2022 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë se “sulmi i djeshëm ndaj kreut të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj është akt jo i qytetëruar e sidomos kur merren rrethanat dhe mjedisi ku është kryer sulmi”.

Sipas tyre, të sulmohet përfaqësuesi sindikal dhe veterani i arsimit në mjediset e shenjta – në shkollë gjatë vizitës miqësore dhe për mendimin e drejtë ndryshe është plotësisht e papranueshme.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës “aktin e djeshëm të sulmit ndaj z. Rrahman Jasharaj, kryetarit të Këshillit Qendror Grevist të BSPK-së e sheh diçka si aspak të mirë, dhe nuk do të besojë se është i organizuar po do të besojë se është diçka që ka rrjedhë nga ngutja dhe nga mos analiza e qetësishme e rrethanave të zhvillimit të Grevës së Përgjithshme”.

“Ajo që nuk pëlqehet nga BSPK-ja dhe që nuk do të duhej të pëlqehet as nga qytetarët e Republikës së Kosovës e as nga e gjithë bota demokratike është shfrytëzimi i fjalës së lirë të shprehjes në dëm të mjedisit të shëndetshëm demokratik”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

BSPK tutje thotë se është shumë keq dhe tejet e rrezikshme që askush nuk ndërmerr asgjë ndaj atyre që njollosin, shajnë, thërrasin në veprime armiqësore dhe kontribuojnë në krijimin e mjediseve armiqësore duke përhapur të pavërteta të qëllimta dhe të rrezikshme vetëm e vetëm për të ndërruar mendimin e drejtë të përfaqësuesve sindikalë të cilët janë në ballë të sindikatave se ashtu e kërko ligji dhe norma.

“Zoti Jasharaj nuk është aty për Rrahman Jasharajn po është aty se është caktuar të jetë aty nga ata që e kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe për të qenë zë i tyre në kërkesat e arsyeshme dhe të ligjshme drejt mbrojtjes së vlerës së të punësuarit e sidomos të mësueses dhe të mësuesit po edhe të vet nxënësve”.

Mes tjerash u tha se mësueses e mësuesit që u mohohen të drejtat për shkak të mosveprimit të përgjegjshëm të atyre që janë të caktuar nga shoqëria të kujdesen për këtë shkon drejtpërdrejt në dëm të vet nxënësve të cilëve nuk u nevojiten mësuese e mësues me dinjitet të përdhosur nga pështjelluesit që pështjellin dhe prishin mjedisin demokratik.

“Greva e Përgjithshme është për nxënësit dhe dinjitetin e mësueses dhe mësuesit, për shoqërinë e për të punësuarin me dinjitet e jo si mundohen ta cilësojnë ata që nuk e duan mjedisin e mirëfilltë demokratik”, përfundon komunikata e BSPK-së.

Të ngjashme