Tentoi të trafikonte 18 kilogramë drogë, arrestohet në Mali të Zi shkodrani

Prishtinë | 07 Gus 2019 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë policorë dhe doganorë të Malit të Zi thanë të martën se kanë kapur 18 kilogramë drogë në një makinë me targa të Shqipërisë në pikën kufitare Sukubinë – Muriqan. Sipas një njoftimi të përbashkët të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së Tatimeve të Malit të Zi, personi D.K. (26 vjeç) nga Shkodra, i cili po drejtonte makinën e tipit Mercedes Benz, u ndalua dhe dyshohet se tentoi të kontrabandonte marijuanë nga Shqipëria në Mal të Zi.

Droga gjendej në 35 paketime dhe ishte e fshehur në pjesë të ndryshme të makinës, raporton Zëri i Amerikës.

“D.K., i cili u arrestua pasi në makinën e tij u gjet droga, iu dorëzua zyrtarëve të policisë kufitare të Shqipërisë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia malazeze në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar sasi të dukshme të drogës, të llojit marijuanë, e cila transportohet në format të ndryshme drejt Malit të Zi.

Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë si Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen sI territore më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi dhe Evropës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme