Tërmet i fuqishëm në Japoni, frika për përsëritjen e cunamit: Banorët braktisin shtëpitë

Prishtinë | 14 Shk 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 100 persona janë lënduar pasi një tërmet i fuqishëm goditi Fukushimën në Japoni.

Tërmeti i të shtunës me magnitudë 7.3 u ndje deri në Tokio, por fatmirësisht nuk u krijua asnjë cunami.

Pothuajse një dekadë më parë, një tërmet i fuqishëm goditi këtë zonë duke shkaktuar një cunami që la pas mbi 18 mijë viktima.

Po i njëjti cunami shkaktoi një incident të rëndë nuklear në Centralin Bërthamor të Fukushimës, duke u bërë më i rëndi që prej 1986-ës.

Agjencia meteorologjike japoneze beson se ky tërmet është një pasgoditje e tërmetit fatal të 2011-ës. Pasgoditjet, sipas BBC-së, mund të zgjasin edhe pas një periudhe disavjeçare.

Tërmeti i së shtunës ndodhi në orën 23:08 me orën lokale dhe e pati epiqendrën në Paqësor, në një thellësi prej 60 kilometrash. Pothuajse 1 milion shtëpi ngelën pa energji elektrike dhe një pjesë tjetër pa ujë.

Po ashtu u shkaktuan rrëshqitje dherash. Fatmirësisht, mediat nuk kanë raportuar për problematika në impiantet bërthamore. Pavarësisht sigurisë që kanë ofruar autoritetet, shumë banorë janë evakuuar për në zona më të larta.

Të ngjashme